Mastercard ofron shërbime për kriptovalutat

schedule11:41 - 27 Tetor, 2021

schedule 11:41 - 27 Tetor, 2021

Ndërsa interesi i investitorëve të mëdhenj dhe të vegjël për kriptovalutat vazhdon të rritet, një nga kompanitë më të mëdha të kartave të kreditit dhe debitit, Mastercard, ka vendosur të ofrojë shërbime të kriptomonedhave.

Sipas deklaratës zyrtare: “Mastercard dhe partnerët e saj do të testojnë këtë aftësi të re për t’u dhënë mundësi më shumë bankave dhe kompanive kripto të ofrojnë një mundësi për njerëzit që dëshirojnë të shpenzojnë pasuritë e tyre digjitale kudo që pranohet Mastercard.”

Gjithashtu sipas një raporti të rrjetit amerikan CNBC, këto produkte do të përfshijnë të ashtuquajturat kuletat digjitale të bitcoin, karta krediti dhe debiti që fitojnë shpërblime në kriptovaluta dhe ofrojnë mundësinë për të kryer shpenzime me pagesa në vlera digjitale, si dhe programe, për shembull, pikat e linjës ajrore ose hotelit, të cilat mund të konvertohen në bitcoin ose vlera të tjera të koduara.

Sipas drejtuesve të dy kompanive, për të ofruar këtë lloj shërbimi, Mastercard dhe rrjeti i saj i pagesave po bashkëpunojnë me kompaninë e kriptove Bakkt.

“Ne duam ta bëjmë më të lehtë për të gjithë partnerët tanë që të shtojnë shërbime kripto në çdo gjë që ata bëjnë,” tha Sherry Haymond, Zëvendës Presidente Ekzekutive e Partneriteteve Digjitale në Mastercard.

Mastercard menaxhon një nga rrjetet kryesore të pagesave në botë së bashku me Visa dhe është e lidhur me më shumë se 20,000 institucione financiare në mbarë botën. Janë 2.8 miliardë karta Mastercard në përdorim, sipas kompanisë.

Ndërsa interesi për bitcoin mbetet i lartë, klientët e Mastercard kanë kërkuar ndihmë nga rrjeti për të ofruar shërbime të kriptomonedhave, sipas Haymond. Vendimi i Mastercard për të eksploruar infrastrukturën e saj tradicionale të pagesave brenda hapësirës së kriptos mund të mos jetë një befasi për ata që dinë për lëvizjen e vazhdueshme të Visa për të ofruar karta debiti kripto.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!