Shumë qytetarë po përballen me probleme të lëkurës për shkak të mbajtjes së maskave me orare të zgjatura. Doktoreshë Irena Savo Jorgaqi dermatologe pranë klinikës “VIVIA” në “Spitalin Amerikan 3” shprehet se acarimet shkaktohen si pasojë e presionit që maska ushtron në lëkurë por edhe për shkak të mikrobeve që mblidhen në zonën që mbulohet nga maska.
“Vihet re acarim apo traumatizim i lëkurës në vendet ku mbështetet më fort, siç është kurrizi i hundës apo pjesa anësore e faqeve, por kemi vendosur re probleme me lëkurën edhe mbrapa veshëve, ku mbështetet pjesa e llastikut, apo lidhëseve të maskës.
Përveç presionit direkt që ushtron maska, kemi mekanizmin e fërkimit. Në momentin që ne flasim muskujt lëvizin dhe lëkura lëviz me to, maska lëviz në drejtim të kundërt të lëvizjes tonë duke dhënë një lloj fërkimi që acaron dhe duke na dhënë skuqe, tharje të lëkurës në zonat e fërkimit.
Përveç këtyre mekanizmave mekanikë kemi edhe një shkaktar tjetër shumë të rëndësishëm, krijimi i një ambienti apo mikro-ambienti që ka lagështirë të rritur në zonën e mbyllur të gojës dhe hundës, është një ambient ku kemi bakteret që mund të vijnë nga kjo zonë, sidomos nga hunda”.
Doktoresha sugjeron që të gjithë personat që shfaqin probleme në lëkurë duhet që të zbatojnë disa masa të rëndësishme. Doktoreshë Irena Savo Jorgaqi sugjeron që në të bëhet një pastrim i thellë i lëkurës, të hidratohet dhe të bëhet ajrosja çdo 4 orë.
“Pastrimi është shumë i rëndësishëm, përdorimi i hidratuesve që duhet të jetë i tipit të lehtë, pra të mos jenë me përmbajtje shumë të lartë yndyrore në rastin e personave me akne, por duhet të jetë gjithmonë i domosdoshëm dhe njëkohësisht përdorimi i kremit mbrojtës kundër diellit.
Që duket pak e çuditshme por janë vënë re shtim të njollave në lëkurë pas përdorimit të maskës. Sepse në zonat ku lëkura është e traumatizuar është e predispozuar që të krijojë njolla”.
Por në rast se pacientët shfaqin përkeqësim të situatës sugjerohet që ti drejtohen mjekëve dermatologë për të marrë trajtimin e duhur.
“Në rastet kur gjendja është më e acaruar rekomandoj të drejtohen te mjeku dermatolog, ne gjatë gjithë këtyre ditëve kemi pritur pacientë me raste të tilla dhe i mirëpresim pranë klinikës “VIVIA”-n në spitalin “Amerikan 3” për t’u dhënë zgjidhje këtyre problematikave” tha ajo.
Që prej 15 tetorit në Shqipëri barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme që të mbahen edhe në ambiente të hapura duke e shtuar edhe më shumë periudhën që një qytetar duhet të jetë i pajisur me maskë./ db/Abcnews.al