Nga dita e enjte me vendim të qeverisë maska do të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët në vend edhe në ambientet e jashtme.
Vendimi është komunikuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa shkelësve do t’ju shkojë gjoba në faturën e dritave.
Por çfarë mendojnë qytetarët për këtë vendim?
Gazetarja Ajgena Korbi ishte sot në rrugët e kryeqytetit, ndërsa ka marrë prononcime të ndryshme nga qytetarët. Gazetarja raporton se lidhur me këtë vendim, qytetarët janë të ndarë në dy grupime.
Ka nga ata që mendojnë se mbajtja e maskës duhet të mbahet edhe në ambiente të jashtme, madje ata e kanë mbajtur që nga fillimi i pandemisë, shkruan abcnews.al.
Ndërkohë, ka të tjerë që nuk pajtohen me këtë vendim, madje thonë se nuk do e respektojnë. Sipas këtyre të fundit, maska nuk të mbron në ambiente të hapura.
“Jam gjithë kohës në lëvizje patjetër që duhet ta mbaj. Tani jam jashtë kur të jem te puna do e mbaj. Në trotuar nuk kam pse ta mbaj. Rama dikur bashkë me Piperon thonin mos mbani maskë. Tani unë te puna e vë por që ta mbaj gjithë ditën nuk e mbaj dot”, shprehen ata.
Nga ana tjetër, të pyetur nga gazetarja, farmacistët thonë se interesi për maska është i njëjtë, nuk ka pasur ndryshime.
Çështja e maskave ka qenë objekt diskutimi dhe nga vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Që në nisje të pandemisë sugjerimet e saj ishin kontradiktore për mbajtjen e barrierave mbrojtëse. Aktualisht ajo e quan të nevojshme përdorimin e maskave në mjedise të mbyllura dhe aty ku nuk garantohet distanca rreth 1 metër nga tjetri. Në Europë vendimi për maskat I është lënë në dorë shteteve dhe në Shqipëri prej 15 tetorit barriera mbrojtëse kthehet në detyrim dhe në mjedise të hapura. g.v/abcnews.al

