Masat e sigurisë: Sot Tirana-Crvena Zvezda, ç’duhet të kenë parasysh tifozët

schedule09:51 - 25 Gusht, 2020

schedule 09:51 - 25 Gusht, 2020

Policia në këmbë për Tirana-Crvena Zvezda, e programuar të zhvillohet sonte prej orës 20:00. Rrethimi i stadiumit, si zakonisht, është vetëm një nga masat e marra, ndërkohë që këtë herë rrugët nuk do të jenë të bllokuara vetëm për automjetet. As këmbësorët nuk do të lejohet të lëvizin në segmentet rrugore të përcaktuara nga Policia e Shtetit. Në njoftimin e bërë bëhet thirrje që të mos ketë grumbullim të tifozëve, si dhe për zbatimin e protokollit të sigurisë nga ana e organizatorëve të ndeshjeve.

NJOFTIMI – Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Crvena Zvezda (Beogradit), e vlefshme për kualifikimin për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, që do zhvillohet më datë 25.08.2020, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”. Ndeshja Tirana – Crvena Zvezda (Beogradit) do të zhvillohet pa tifozeri, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të merren sërish një serë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19. Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë qytetarët e Tiranës se:

  • Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës.
  • Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe lëvizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara. Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!