Masakra në Velipojë, gazetarja: Konflikti nisi pasdite, çfarë fiksuan kamerat e sigurisë

schedule21:45 - 28 Qershor, 2021

schedule 21:45 - 28 Qershor, 2021

Masakra e ndodhur në Velipojë, e ka pasur zanafillën më herët në një sherr të nisur mes vëllezërve Gocaj dhe Hasan Ferracakut, vëllait të biznesmenit Kujtim Ferracaku i cili mbeti i vrarë nga “lufta” për shezlonget.

Gazetarja Xhensila Kodra deklaroi në emisionin “Log.”, se dy vëllezërit Gocaj kanë pasur një debat me Hasan Ferracakun me fjalë banale. Dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes i kanë thënë policisë, se palët e kanë lënë për t’u sqaruar në mesnatë.

“Pasditen e së shtunës kur ka pasur një konflikt më shumë me sharje dhe fjalë banale. Dy vëllezërit Gocaj dhe Hasan Ferracaku. Një nga kamerat e sigurisë ka fiksuar debatin me sharje banale. Dy vëllezërit dhe Hasani kanë pohuar se këtë bisedë do e vazhdojmë sërish në darkë. Hasani ka pohuar se në momentin kur është qëlluar, Gocaj kanë qëlluar të parët. Nuk ka arritur ta shohë se kush ka qëlluar i pari prej tyre”, deklaroi ajo.

Gazetarja deklaroi se nga dyshimet paraprake është qëlluar me 5 armë gjithsej, ndërsa sipas Hasan Ferracakut të parët kanë qëlluar vëllezërit Gocaj.

“Janë 5 armë gjithsej. Dy pistoleta. Asnjëra nga armët që janë gjetur nuk kanë qëlluar. Një nga dy armët është gjetur te Kujtim Ferracaku. Pritet në ditët në vijim Hasan Ferracaku të japë një sqarim të detajuar. Hasani ka deklaruar se ata kanë qëlluar pasi Kujtimi ka shkuar atje. Ata dyshohet të kenë pasur informacion që Kujtimi ka qenë i armatosur. 5 gëzhoja nga një pistoletë dhe 8 nga një tjetër. I pari që ka qëlluar, ka qenë një nga vëllezërit Gocaj me kallashnikov”, u shpreh ajo.

Ndërsa gazetari Ermal Vija, i cili ishte dje në Velipojë për të raportuar për ngjarjen e rëndë tregoi edhe reagimi e pushuesve në orët e para të së dielës. ‘Jam munduar në të gjithë zonën të merrja mendimet e pushuesve. Shumica kanë qenë të traumatizuar. Zona ku kishte ndodhur vrasja ishte e mbipopulluar. Shumica kanë menduar se kanë qenë fishekzjarrë. Shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur për 5 minuta”, tha Ermal Vija. m.v/abcnews.al