Masakra në Velipojë, dy pistoletat e gjetura nuk u përdorën

schedule16:18 - 29 Qershor, 2021

schedule 16:18 - 29 Qershor, 2021

Nga Xhensila Kodra

Dy pistoletat e sekuestruara nga Policia pas vrasjes së 4 personave në Velipojë, nuk janë përdorur në ngjarje. Ato i përkisnin dy viktimave, Kujtim Ferracakut dhe Xhovani Gocajt. Ferracakut, arma ju gjet në brez, ndërsa e Gocajt në hotelin e tij. Pistoleta e këtij të fundit, u verifikua nga shenjat e gishtave të fiksuara mbi të.

Në vendngjarje, u sekuestruan 18 gëzhoja, të qitura nga 3 armë të ndryshme. Një kallashnikov dhe dy pistoleta, njëra tip TT dhe tjetra miniglok 7.65 mm.

Asnjë nga këto 3 armë nuk është gjetur nga policia. Nga hetimet, është faktuar se nga 18 gëzhojat e sekuestruara, 5 i përkasin kallashnikovit dhe 13 plumba u qëlluan nga dy pistoleta të ndryshme.

Hetuesit nuk kanë ende të qartë dinamikën se kush hapi zjarr i pari apo kush ka qëlluar me armë. Për këtë, policia ka marrë në pyetje 8 persona. Mes tyre edhe të plagosurin Hasan Ferracaku, vëllai i Kujtim Ferracakut.

Ai i tha policisë se të parët që qëlluan ishin anëtarët e familjes Gocaj, sapo aty ka mbërritur Kujtimi. Ky i fundit u qëllua me 3 plumba në kraharor.

Ekspertiza zbuloi se Edmond Gocaj u vra me 1 plumb në kokë, vëllai i tij, Xhovani Gocaj me disa plumba në pjesë të ndryshme të trupit ndërsa 20 vjeçari Musaen Zeneli humbi jetën nga 1 plumb në kraharor. I riu, ditën e ngjarjes kishte nisur punën si kamarier në hotelin Gocaj.

I plagosur mbeti edhe nipi i Kujtim e Hasan Ferracakut, Elmidin Dyli.

Në kërim, si autorë të dyshuar, policia ka shpallur tre djemtë e Hasanit, Abedin, Shyqyri dhe Besmir Ferracaku. Nga hetimet ka rezultuar se fillimisht sherri mes dy vëllezërve Gocaj dhe Hasanit ka nisur mesditën e së shtunës, për shkak të ndarjes së territorit ku do të vendoseshin shezllonët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!