Pasi Shtëpia e Bardhë paralajmëroi vizitën e presidentit amerikan, Donald Trump, në Pittsburgh pas masakrës në sinagogë, ka reaguar komuniteti hebre. Ky i fundit ka mbledhur 35 mijë firma për të penguar Tramp që të vizitojë zonën, pasi sipas tyre janë politikat dhe fjalët e Trump që nxisin akte dhune në vend.
Më shumë se 35 mijë persona kanë firmosur një letër të hapur të një grupi hebre të Pittsburgh, drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, i cili konsiderohet “jo i mirëseardhur” deri kur të denoncojë nacionalizmin e bardhë. Gjithashtu sipas kërkesës, kreu i Shtëpisë së Bardhë duhet t’i japë fund sulmeve ndaj minoriteteve, pas masakrës në sinagogën vendore. Shtëpia e Bardhë paralajmëroi vizitën e Donald Trump brenda ditës së martë. Kjo duke injoruar edhe apelin e kryebashkiakut, i cili kishte kërkuar që vizita e presidentit amerikan të organizohej pas varrimit të viktimave.
11 anëtarët e organizatës kombëtare të hebrenjve progresistë shkruajnë ndër të tjera në letër se tre vitet e fundit, fjalët dhe politikat e Trump, kanë inkurajuar një lëvizje nacionaliste të bardhë në rritje. Edhe pse kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi vrasësin si një njeri të keq, dhuna sipas kësaj organizate, është pasoja e drejtpërdrejtë e influencës së tij. Sipas tyre komuniteti hebre nuk është i vetmi grupim që presidenti amerikan sulmon vazhdimisht. Trump ka minuar me qëllim sigurinë e njerëzve me ngjyrë, muslimanëve, anëtarëve të LGBT-së, dhe atyre me aftësi të kufizuara. Sipas asaj që shkruhej në letër masakra në Pittsburgh nuk është akti i parë i terrorizmit që Trump ka nxitur kundër një grupi minoriteti në territorin amerikan./abcnews.al

