Masakra në Florida, qytetarët nderojnë heronjtë

schedule19:05 - 16 Shkurt, 2018

schedule 19:05 - 16 Shkurt, 2018

Dy ditë nga masakra në shkollën e mesme në Florida, ku humbën jetën 17 persona, amerikanët kanë nderuar mësuesit e gjimnazit, disa prej të cilëve dhanë jetën për të mbrojtur fëmijët.

Rrëfime heroizmi kanë nisur të qarkullojnë në Shtetet e Bashkuara për mësuesit e shkollës ku dy ditë më parë ndodhi masakra që u mori jetën 17 personave. Stafi i shkollës është vlerësuar për mbrojtjen e nxënësve, të cilët u fshehën poshtë bankave dhe nëpër dollape për t’i shpëtuar plumbave të Nikolas Cruz. Kështu, Aron Feis, trajner futbolli në shkollën e mesme, është konsideruar hero pasi me trupin e tij mbrojti një student nga plumbat.

Një tjetër, Scott Beigel, mësues gjeografie, po jepte mësim në kohën kur u dëgjuan të shtënat. Ai futi në klasën e tij nxënës që ndodheshin në korridor, por u godit për vdekje nga plumbat teksa po përpiqej të bllokonte derën. Ndërkohë, mesazhet e shkëmbyera mes dy vëllezërve gjatë masakrës kanë prekur zemrat e amerikanëve. Sam dhe Matthew Zeif ndodheshin secili në klasën e tij të mërkurën, kur filluan të shtënat. Sam, 18 vjeç, i shkroi i pari vëllait 4 vjet më të vogël.

Sam: Je mirë?
Mat: Shpresojmë. Por dua ta dish që të dua shumë.
Sam: Edhe unë të dua shumë.
Mat: Do të të dua përgjithmonë. Je vëllai më i mirë.
Sam: Do të dalim që këtej, të premtoj.

Vetëm pak sekonda më parë, vëllai i vogël kishte parë mësuesin Scott Beigel të vritej. Për fat të mirë, Sam dhe Mat arritën të shpëtonin nga masakra dhe këtë të premte, e ëma e tyre publikoi mesazhet e shkëmbyera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!