Masakra në El Paso, e ëma e autorit kishte lajmëruar policinë

schedule13:45 - 8 Gusht, 2019

schedule 13:45 - 8 Gusht, 2019

E ëma e autorit të sulmit në El Paso të Teksasit, që la 22 të vdekur, e kishte njoftuar policinë disa javë para ngjarjes. Sipas mediave amerikane, gruaja kishte shprehur shqetësimin për armatosjen e të birit, por forcat e rendit ishin përgjigjur se në bazë të moshës atij i lejohej mbajtja e armës.

E ëma e të dyshuarit si autor i masakrës në El Paso të Teksasit i telefonoi policisë disa javë më parë, për t’i shprehur shqetësimin për pajisjen e të birit me armë. Avokatët e familjes së Patrik Krusius thanë për mediat amerikane se gruaja ishte e shqetësuar për shkak të gjendjes së djalit, që u mori jetën 22 personave në një qendër tregtare Uollmart. Krusius, 21 vjeç, u dorëzua në vendin e ngjarjes pasi u rrethua nga agjentët e policisë dhe po hetohet për “vrasje në masë” dhe “krim me bazë urrejtjen”, me prokurorët që kanë kërkuar dënimin me vdekje.

Policia dyshon se ai udhëtoi për 10 orë nga shtëpia e tij në periferi të Dallasit për të kryer masakrën. I dyshuari mendohet të jetë gjithashtu autor i një teksti të postuar në internet pak momente përpara masakrës, ku thoshte se ajo ishte një përgjigje ndaj “pushtimit hispanik të Teksasit”. Sidoqoftë, e ëma e tij thuhet se kontaktoi policinë për shkak se kishte mbetur e shqetësuar nga pajisja me armë e të birit, por jo sepse ishte në dijeni të planeve të tij.

“Telefonata në polici ishte e natyrës informative dhe jo nga frika se Patrik mund t’u bënte keq të tjerëve”, ka sqaruar një avokat i familjes Krusius. Por për policinë amerikane, arma e përdorur në sulmin e së shtunës së kaluar ishte blerë në mënyrë ligjore dhe 21-vjeçari mund ta mbante atë edhe brenda qendrës tregtare për shkak të politikës së shtetit të Teksasit që e lejon një gjë të tillë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!