Masakra me 22 të vrarë në SHBA, vazhdon ende “gjuetia” për kapjen e autorit

schedule15:07 - 26 Tetor, 2023

schedule 15:07 - 26 Tetor, 2023

Autoritetet amerikane kanë nisur gjuetinë për kapjen e autorit të masakrës në qytetin e Lewiston, ku 22 persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën. Kërkimet janë përqendruar në Maine, aty ku autori realizoi masakrën me një armë automatike mbrëmjen e së mërkurës dhe ende pas 12 orës ai endet i lirë.

Sipas mediave në SHBA pati dy incidente aktive në qytetin e Lewiston, në një qendër bowling dhe në një restorant në Lincoln Street. Zyrtarët shtetërorë thonë se të shtënat filluan rreth orës 18:56.

Policia e ka identifikuar agresorin si 40-vjeçari Robert Card nga Bowdoin duke paralajmëruar publikun se ai është ende i armatosur dhe është person i rrezikshëm.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Maine thonë se Card është një instruktor i certifikuar i armëve të zjarrit dhe rezervist i ushtrisë amerikane. Card kishte bërë së fundmi kërcënime për të kryer një sulm në një strukturë të Gardës Kombëtare në Saco, dhe gjithashtu ka raportuar probleme të shëndetit mendor.

Zyra e sherifit ka publikuar imazhet e të dyshuarit dhe kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e tij në çdo rast.

Për herë të fundit autori i masakrës është parë me armën që përdori për të kryer sulmin në dorë, i veshur me rroba ngjyrë kafe. Policia shpërndau gjithashtu një imazh të automjetit që po kërkon. Autori dyshohet se lëviz me një SUV të vogël me ngjyrë të bardhë dhe parakolpin që besohet të jetë i lyer me ngjyrë të zezë.

Zyrtarët e Maine kanë thënë për mediat se qindra oficerë policie po punojnë në të gjithë shtetin për të gjetur Card, ndërsa publikut iu kërkua të kontaktojë zbatimin e ligjit nëse ata kanë informacion për vendndodhjen e tij.

Në Maine janë parë oficerë të armatosur rëndë, që janë mbledhur në gjimnazin e shkollës së mesme “Lisbona”, që është rreth 15 minuta nga Lewiston, ndërsa qindra të tjerë janë shpërndarë në rrugë.

Në një deklaratë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), sqarohej se  në operacionin për kapjen e autorit do të përfshiheshin edhe oficerë nga agjencitë federale, si dhe partnerë shtetërorë dhe lokalë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!