Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, i ka paralajmëruar masat e reja, të cilat Komisioni për Sëmundje Infektive do t’i propozojë Qeverisë, me qëllim mbrojtjen e popullsisë nga pandemia.
Ndryshim më i madh do të jetë në sektorin publik, ku do të kërkohet që të gjithë të punësuarit në këtë sektor, të vaksinohen detyrimisht.
“Komisioni për Sëmundje Infektive do të propozojë që të gjithë të punësuarit në sektorin publik në vetqeverisjen lokale, institucionet qeveritare, për të shkuar në vendin e punës, të tregojnë vërtetim për së paku një dozë të pranuar të vaksinës kundër COVID-19, test negativ PCR që do të vlejë së paku 72 orë, i cili do të duhet të bëhet me harxhim personal. Dhe si mundësi e tretë do të jetë vërtetimi për shërim nga COVID-19, jo më i vjetër se 45 ditë”, tha Filipçe.
Ai shtoi se gjithashtu do të ketë një mundësi të katërt, që është vërtetim nga mjeku specialist se nuk mund ta pranojnë vaksinën, duke shtuar se këto janë gjendje të rralla.
Filipçe gjithashtu tha se do t’i propozohet Qeverisë vendosja e masës, për vaksinim të detyrueshëm të të gjithë punonjësve shëndetësor. Filipçe ju bëri thirrje edhe kompanive private që të bashkangjiten në këto masa.