Martin Mata: AADF-së nuk i lejohet ta blejë Butrintin, për planin tonë UNESCO entuziaste

schedule22:20 - 19 Maj, 2022

schedule 22:20 - 19 Maj, 2022

“Partneri strategjik” i qeverisë shqiptare për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka zgjedhur të mos përfshihet në debatin publik për këtë çështje.

Fondacioni është mjaftuar vetëm me një njoftim për shtyp, që e ka shpërndarë për mediat me e-mail. Mirëpo emisioni LOG. ditën e enjte, që trajtoi temën “Butrinti me PPP, ku është problemi”, risolli një intervistë ekskluzive me Martin Matën.

Martin Mata është një nga dy bashkë-drejtorët e përgjithshëm të AADF, i cili në 23 shtator 2020, kur debati për Butrintin u bë për herë të parë publik pas denoncimeve të ish-drejtorit të parkut Auron Tare dhe juristit Agron Alibali, i dha gazetarit Endri Xhafo në ABC të vetmen intervistë publike për këtë çështje.

Në intervistë zoti Mata shpjegon se çfarë ndodhi me planin e parë për menaxhimin e integruar të Butrintit, sponsorizuar nga AADF dhe përgatitur nga eksperti izraelit Giora Solar. Sipas zotit Mata ai plan u zbatua pjesërisht nga njësia shtetërore e menaxhimit të Parkut. Kurse plani i ri, i përgatitur nga studio britanike Prince & Pierce, lindi si nevojë për të sjellë një formë të re të menaxhimit të parkut. Bashkë-drejtori i përgjithshëm i AADF tha se fondacioni po sjell një model që bota e njeh dhe që drejtimin e procesit ia lë qeverisë shqiptare. Por AADF u fut në fondacion, sipas zotit Mata, për të rritur besimin e donatorëve te modeli menaxhues dhe për të thithur fonde të tjera, pasi sipas tij Butrintit i duhen për dhjetë vitet e ardhshme 14 milionë dollarë. Zoti Mata tha se ky model menaxhimi i propozuar nga AADF, ka entuziasmuar edhe vetë UNESCO-n.

Martin Mata sqaroi se AADF nuk synon rritjen tej mase të numrit të vizitorëve në Butrint. Duke cituar ekspertë, drejtori i AADF tha se Butrinti ka një pikë ngopjeje prej 300-350 mijë vizitorë në vit dhe ky numër nuk duhet kaluar, për të mos degraduar sitin. Por AADF, sipas tij, synon të rrisë shërbimet. “A e dini ju që dikur Butrinti nuk kishte mjaftueshëm banjo dhe, edhe ato që ishin, laheshin me ujë deti”, thotë drejtori i AADF në këtë intervistë. Sipas tij, “menaxhim do të të thotë të merresh me gjërat e përditshme, me banjot, a ka ujë, a ka drita, me pemët, biletat, etj.”

Në fund Martin Mata, një nga dy bashkë-drejtorët e përgjithshëm të AADF, theksoi se “AADF e ka me statut që paratë duhet t’i shpenzojë në Shqipëri”, se “AADF është nga fondacionet më të kontrolluar dhe audituar, sepse është krijuar me vendim të qeverisë amerikane” dhe se “AADF-së nuk i lejohet as ta privatizojë, as ta marrë me koncesion Butrintin”.

Intervista ekskluzive e zotit Mata shkaktoi debate mes të ftuarve në LOG, ku Auron Tare dhe Neritan Ceka kundërshtuan disa nga pohimet e drejtorit të AADF. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!