Udhëheqësi i Libisë Lindore, Marshali Khalifa Haftar u prit sot nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë, njoftuan Forcat e Armatosura Arabe Libiane (LAAF) dhe Kremlini.
“Marshalli Haftar foli me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu në kryeqytetin rus”, tha LAAF në Facebook pa dhënë detaje të mëtejshme.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “është diskutuar situata në Libi dhe rajon”, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Ky ishte takimi i tyre i parë që nga viti 2019.
Haftar mbërriti në Moskë të martën dhe u takua me zëvendësministrin e Mbrojtjes Yunus-Bek Yefkurov, i cili ka vizituar disa herë Libinë lindore kohët e fundit. Më e fundit ishte më 17 shtator në Bengazi, pak ditë pas përmbytjeve shkatërruese që vranë mijëra njerëz në qytetin e Derna.
Moska mban marrëdhënie të ngushta me Haftarin, i cili kishte kërkuar ndihmën e mercenarëve të grupit Wagner gjatë përpjekjes së tij të dështuar për të kapur kryeqytetin Tripoli tre vjet më parë. Pas marrëveshjes së armëpushimit në tetor 2020, qindra anëtarë të Wagner mbetën në Libinë lindore dhe jugore, por të tjerë u nisën për në Mali ose Ukrainë për të luftuar përkrah ushtrisë ruse.