Marrja e përditshme e aspirinës mund të shkaktojë dëme serioze

schedule17:39 - 13 Tetor, 2021

schedule 17:39 - 13 Tetor, 2021

Njerëzit që nuk vuajnë nga zemra, nuk duhet të marrin aspirinë përditë. Kështu thuhet në udhëzimet paraprake të një grupi me peshë ekspertësh amerikanë. Nëse udhëzimet marrin formë përfundimtare, ato do të ndryshojnë plotësisht rekomandimet e dhëna në vitin 2016 që sugjeronin përdorimin e aspirinës me dozë të vogël për të parandaluar goditjet në zemër dhe në tru.

Personat që nuk vuajnë nga zemra nuk duhet të marrin një dozë të ulët të përditshme aspirine, 81- 100 miligramë, për të parandaluar goditje të mundshme në zemër, thuhet në udhëzimet paraprake të qarkulluara nga një organizatë me peshë në fushën e shëndetësisë.

Grupi Amerikan i Punës për Shërbimet Parandaluese është një entitet i pavarur ekspertësh, që analizon punën kërkimore dhe literaturën mjekësore, për të dhënë rekomandime periodike, për masat që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të publikut. Grupi i punës thotë tashmë se rreziku i hemorragjisë tek personat mbi 60 vjeç është më i madh se mbrojtja që mund të ofrojë aspirina.

“Sipas të dhënave më të fundit, ne tashmë rekomandojmë që personat 60 vjeç e lart të mos fillojnë të marrin aspirinë, pasi dëmi është më i madh se përfitimi”, thotë Dr. John Wong, përfaqësues i grupit të punës.

Nga ana tjetër, rekomandimi i ri thotë që personat në të 40-at ndoshta mund ta marrin aspirinën me dozë të vogël nëse nuk rrezikohen nga hemorragjitë e brendshme. Gjithashtu, rekomandimi thotë se për personat nga 40-59 vjeç që janë të rrezikuar të preken nga sëmundjet kardiovaskulare, përfitimet nga përdorimi i aspirinës janë të vogla. Grupi i punës rekomandon që aspirina duhet marrë pas konsultimeve me mjekun.

“Është një zhvillim tepër domethënës, në veçanti për përdorimin e aspirinës nga pacientët e moshuar që nuk kanë patur ndonjëherë probleme zemre, por që duan t’i parandalojnë. Është një segment i madh i popullsisë që e merr aspirinën për këtë arsye”, thotë Dr. Lauren Block, nga Instituti Feinstein për Kërkime Mjekësore.

Rekomandimet e reja mund të ndikojnë tek miliona njerëz në mbarë botën. Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, me rreth 659 mijë vdekje në vit sipas CDC-së (Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve). Goditjet në tru janë shkaku i pestë i vdekjeve, me rreth 150 mijë në vit.

“Po u kërkojmë pacientëve që janë të shqetësuar për mundësinë e një ataku kardiak që të bisedojnë për këtë çështje me doktorin e tyre. Është e rëndësishme ta dinë se aspirina mund të shkaktojë dëme serioze dhe se ky rrezik rritet me kalimin e moshës”, thotë Dr. John Wong, përfaqësues i grupit të punës.

Aspirina njihet më shumë si ilaç për dhimbjet, por gjithashtu shërben si hollues gjaku që mund të zvogëlojë mundësinë e trompozave. Prej vitesh, mjekët kanë rekomanduar marrjen e përditshme të aspirinës në doza të vogla për personat që kanë patur tashmë goditje në zemër apo në tru. Udhëzimet e reja nuk ndryshojnë rekomandimin për këtë kategori pacientësh. Megjithatë, studimet më të fundit theksojnë rrezikun e hemorragjisë, si nëpërmjet ulçerave, apo në sistemin e tretjes, të cilat mund të jenë me pasoja fatale./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!