Marrëveshje e përbashkët, Ernest Gjoka largohet nga drejtimi i Shkëndijës

schedule15:40 - 30 Korrik, 2021

schedule 15:40 - 30 Korrik, 2021

Ernest Gjoka nuk është më trajneri i Shkëndijës së Tetovës. 51-vjeçari nga Tirana mori drejtimin e kuqezinjve në tetorin e vitit 2019 dhe ia doli të fitonte titullin kampion në Maqedoninë e Veriut sezonin e fundit.

Ekipi shqiptar zhgënjeu në kompeticionet evropiane. Nga Champions League e eliminoi Mura e Sllovenisë, teksa mbrëmjen e kaluar erdhi edhe fundi i aventurës në Conference League pas dy humbjeve me letonezët e Rigas.

Katër ndeshje, po kaq humbje dhe asnjë gol i shënuar! Gjoka ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Shkëndijës për të ndërprerë bashkëpunimin me konsensus. “KF Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ernest Gjoka.

Kryesia dhe tekniku tiranas me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dyja palëve.

KF Shkëndija me këtë rast falënderon Ernest Gjokën dhe ndihmësin e tij Fatjon Tafaj për kontributin e dhënë në periudhën që ishin pjesë e kuqezinjve, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion i vendit në sezonin garues 2020/2021.

Familja kuqezi u uron shëndet dhe gjitha të mirat në të ardhmen. Ditëve në vazhdim klubi do të vendos për trajnerin e ri të cilit do t’i besohet pankina për sezonin 2021/2022“, lexohet në komunikatën e klubit tetovar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!