Presidenti i republikës Ilir Meta ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes dy partive kryesore në maqedoninë e Veriut për formimin e qeverisë.
Meta përmes një postimi në Facebook, shkruan se finalizimi i kësaj marrëveshje politike është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.
Në reagimin e tij kreu i shtetit ka një apel të fortë për klasën politike shqiptare, teksa nënvizon se duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera.
LEXO EDHE: Ngrihet qeveria, Ahmeti: Një shqiptar do të drejtojë Maqedoninë për 100 ditë
Postimi i plotë:
Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.
Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës.
Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera. /abcnews.al