Pavarësisht situatës së komplikuar nga dorëheqja e bashkëpunëtorëve të saj, kryeministrja britanike Thereza Mej ka deklaruar se nuk do të dorëzohet për finalizimin e marrëveshjes së Breksit. Ndërkohë, Brukseli është shprehur se procesi i largimit të Mbretërisë së Bashkuar është një rrugë pa krye.
Kryeministrja britanike Thereza Mej ka deklaruar se do të luftojë për miratimin e marrëveshjes që ndan Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja, pak orë pasi dorëheqja e sekretarit të Breksit dhe disa ministrave vuri në rrezik strategjinë e saj. “A do t’i shkoj deri në fund kësaj? Po”, tha Mej pasditen e së enjtes në një konferencë shtypi nga zyra e saj. Ajo shprehu keqardhjen e saj për largimin e ministrave dhe mirëkuptim për dëshpërimin e tyre, por theksoi se varianti i fundit është më optimali për daljen nga BE-ja. “Besoj me çdo fibër të qënies sime se kam bërë më të mirën për vendin dhe popullin tonë”, tha Mej.
Kryeministrja shtoi se interesat kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë dhe do të jenë prioriteti i saj. Me përpjekjet e saj për të mos shkëputur tërësisht lidhjet me BE-në, Mej ka shkaktuar pakënaqësi tek ata anëtarë të partisë së saj që kërkonin një shkëputje të pastër. Ndërkohë, ligjvënësit pro lidhjeve në partinë e saj dhe në opozitën laburiste thonë se varianti aktual i marrëveshjes konsumon avantazhet për të përfituar diçka nga anëtarësia e dikurshme. Ndërkohë, zyrtarë në Bruksel deklaruan të enjten se për finalizimin e Breksit ka ende shumë punë përpara, pavarësisht rënies dakord për një draft. “Që nga fillimi e kemi ditur se procesi i Breksit do të ishte një rrugë pa krye dhe negociatat tona shërbejnë vetëm për të kufizuar dëmet”, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk./abcnews.al

