Zbulohen detaje nga marrëveshja e kreut të partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka me kryetarin e PD, Lulzim Basha. Gazetari Juxhin Mustafaj raporton se Duka ka negociuar dhe ka vendosur që të jete i dyti në qarkun e Durrësit në listat e PD.
Më herët kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka arritur dakordësinë me kryedemokratin Lulzim Basha për t’u bërë pjesë e marrëveshjes së opozitës për të dalë si një koalicion i përbashkët në zgjedhjet e 25 Prillit.
Ndoka mbajti pezull marrëveshjen deri në orët e mbrëmjes së sotme. Kjo pasi Basha i kishte ofruar një vend në listën e Shkodrës, që nga Nard Ndoka gjykohet se nuk është i sigurt që mund të sigurojë mandatin.
Pa firmosur u largua këtë mbrëmje nga selia blu Sali Shehu, përfaqësues i FRD-së së Bamir Topit. Shehu u largua për t’u konsultuar me kryesinë e partisë për t’i dhënë përgjigje ofertës së liderit demokrat.
Lexo edhe: Negociatat me Bashën, partia e Topit nuk firmos: Besoj se do të kemi lajme të mira
Në përfundim të takimit me Lulzim Bashën ai deklaroi se i kërkoi kryedemokratit që partia e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi të jetë e përfaqësuar në këtë koalicion, ndërsa pretendimet janë për një mandat të sigurt në Tiranë.
Ndërkaq, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ishte i pari sot që firmosi marrëveshjen e koalicionit me Bashën.
Në orën 24:00 është afati i fundit për të dorëzuar listën e koalicionit, ndërsa deri në 5 mars palët kanë afat për të dorëzuar listat e kandidatëve me pozicionet. g.v/abcnews.al