Napoli vendosi të shkarkojë Carlo Ancelottin dhe në pankinë është ulur Gennaro Gattuso. Ky vendim i klubit pritet të ketë pasoja edhe te disa lojtarë, mes tyre edhe Elseid Hysaj. Mbrojtësi shkodran humbi vendin e titullarit me ardhjen e trajnerit të njohur dhe largimi në janar ishte shumë afër.
Përsëri mund të ndodhë, por me Gattuson trajner mund të ndryshojnë planet dhe Hysaj mund të vazhdojë të qëndrojë te nënkampionët e Italisë. Menaxheri i tij, Mario Giuffredi ka folur hapur në radion zyrtare të Napolit rreth situatës së shkodranit.
“Dje kam biseduar me presidentin dhe Giuntolin (drejtori sportiv) në lidhje me Hysajn. AKtivizimi i pakët gjatë këtij viti ishte diçka e papritur. E kuptoj Mario Rui, edhe Di Lorenzon, por Ancelotti mund të përfitonte nga shërbimet e Hysajt në shumë raste.
Shpresoj që Gattuso t’i japë më shumë hapësira dhe ta shtyjë të qëndrojë këtu. Nëse deri në janar do të shohim që aktivizimi i lojtarit do të jetë i njëjtë si tani, do të largohemi në janar. Nëse aktivizimi shtohet, lojtari do të qëndrojë deri në verë me qëllimin për të dhënë kontributin e tij.
Secili prej nesh ka strategjitë e veta. Në maj kisha mundësinë për të dërguar Di Lorenzon në skuadra të tjera. Kishim rënë dakord me Napolin për largimin e Hysajt, por vetëm pasi të gjendje zëvendësuesi i tij. Në atë moment arritëm akordin me Di Lorenzon.
Përpara operacionit telefonova Elseidin dhe i kërkova leje, ai më tha se ishte dakord me strategjinë time. Gjithsesi, në fund nuk u largua. Klubi nuk mund të vazhdojë ta mbajë kur lojtari nuk luan. Mos të harrojmë se Hysaj ka qenë mbrojtësi anësor më i mirë në Serie A për tre vite rresht“, përfundon agjenti i kapitenit të kombëtares shqiptare. /abcnews.al