Marrëveshja e re bërthamore, Irani kundërshton thirrjen e Macron-it

schedule08:52 - 1 Shkurt, 2021

schedule 08:52 - 1 Shkurt, 2021

Irani hodhi poshtë komentet e presidentit francez Emmanuel Macron rreth nevojës për një marrëveshje të re bërthamore me Teheranin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Saeed Khatibzadeh deklaroi se marrëveshja bërthamore, e njohur gjithashtu si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, është “një marrëveshje ndërkombëtare shumëpalëshe që është miratuar dhe stabilizuar sipas Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Në asnjë mënyrë nuk rinegociohet dhe palët e saj janë gjithashtu të përcaktuara dhe të pandryshueshme”, tha Khatibzadeh.

Ai i bëri thirrje Macron-it të përmbahet nga “qëndrimet e nxituara dhe të pamenduara”.

Macron tha se në negociatat lidhur me marrëveshjen bërthamore duhet të përfshihet edhe Arabia Saudite.

“Nëse zyrtarët francezë janë të shqetësuar për shitjet e mëdha të armëve në vendet arabe të Gjirit Persik, më mirë do të ishte që ata të rishikojnë politikat e tyre”, tha Khatibzadeh.

“Armët franceze, së bashku me armët e tjera perëndimore, jo vetëm që kanë masakruar dhe vrarë mijëra jemenas, por janë gjithashtu arsyeja kryesore prapa paqëndrueshmërisë në rajonin e Gjirit Persik”, tha ai.

“Pa ndalur vërshimin e eksporteve të armëve nga Franca, Britania, SHBA-ja dhe vendet e tjera, nuk mund të pritet stabilitet dhe qetësi në këtë rajon delikat”, shtoi zyrtari iranian.

Khatibzadeh po ashtu theksoi se SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja, ndërsa Evropa dështoi ta ruajë atë.

“Nëse duam ta shpëtojmë marrëveshjen, SHBA-ja duhet të kthehet dhe të heqë sanksionet ndaj Teheranit të vendosura gjatë mandatit të ish presidentit të SHBA-së Donald Trump”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!