Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe premten në Bruksel.
Po ashtu, pajtueshmëria e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së, shkruan REL.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./abcnews.al