Marrëdhëniet me rusët, Trump Junior dëshmon në Senat

schedule23:59 - 12 Qershor, 2019

schedule 23:59 - 12 Qershor, 2019

Komisioni i Senatit amerikan që vazhdon të hetojë ndërhyrjen e përfolur ruse në politikën amerikane ka thirrur për të dëshmuar djalin e madh të presidentit Trump. Në përfundim të seancës, Donald Trump Junior ka deklaruar se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e tij.

Donald Trump Junior, djali i madh i presidentit të Shteteve të Bashkuara, u paraqit të mërkurën në komisionin për shërbimet sekrete të Senatit amerikan, për të dëshmuar në një seancë me dyer të mbyllura në lidhje me ndërhyrjen ruse.

Konkretisht, intervista ka patur në fokus investimin privat të familjes Trump në Moskë dhe takimin e përfolur me një avokate ruse që pretendonte se kishte material që mund të ndihmonte presidentin Trump në zgjedhjet e 2016-s.

“Nuk mendoj se kam ndryshuar diçka në qëndrimin tim, sepse nuk ka patur asgjë për të ndryshuar”, deklaroi Trump Junior pas seancës.

Ai u shpreh i kënaqur që kjo çështje është mbyllur dhe sqaruar, si nga ana e tij ashtu edhe nga komisioni. I pyetur nga mediat nëse druhet se ka bërë një dëshmi të rremë, ai u përgjigj shkurt: “Aspak”.

Komisioni i Senatit për shërbimet sekrete, që udhëhiqet nga senatori republikan Riçard Burr, po kryen një hetim dypartiak mbi ndërhyrjen ruse në politikën amerikane, përfshirë këtu zgjedhjet presidenciale të tre viteve më parë.

Hetimi i Senatit vazhdon edhe pse hetuesi i posaçëm Robert Mueller e ka mbyllur hetimin e tij lidhur me marrëdhëniet e përfolura të stafit të Trump me rusët gjatë fushatës dhe nëse presidenti pengoi drejtësinë në hetime./ABC News Albania 24/7