Kosova dhe Izraeli nënshkruan sot vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani ka përshëndetur aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike duke u shprehur se kjo marrëveshje i hap rrugë bashkëpunimit dypalësh.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në deklaratën e Osmanit.
Lexo edhe: Marrëveshja e Washingtonit, Izraeli dhe Kosova zyrtarizojnë njohjen
Gjithashtu një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj teksa e ka konsideruar akt historik njohjen e Kosovës nga Izraeli, shton se tashmë është shënuar një kapitull i ri në marrëdhëniet dypalëshë dhe forcimin e lidhjes mes dy popujve.
Statusi:
Akti historik i njohjes së Kosovës nga Izraeli, forcon pozitën e Kosovës dhe diplomacisë së saj në arenën ndërkombëtare.
Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet dhe fuqizohet.
Ky akt, shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e lidhjes mes dy popujve.
Jam shumë i lumtur me këtë ngjarje, e cila ndodh në kohën kur vendi ynë ndodhet në udhëkryq. Falënderues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësimin e tyre për këtë njohje kaq të rëndësishme.
Kjo është edhe një dëshmi e fortë se marrëdhëniet me aleatin tonë, SHBA-të, janë të një rëndësie të veçantë e strategjike dhe si Kosovë vazhdimisht do t’i forcojmë ato. Kjo do të jetë edhe një prej detyrave të mia parësore si President i ardhshëm i vendit.
Falënderim i veçantë për popullin dhe shtetin e Izraelit!
RH
/abcnews.al/