Derbi i Italisë zhvillohet të dielën në mbrëmje dhe të gjithë po e presin me padurim. Interi i Contes do të presë kampionët e Juventusit në një San Siro të mbushur plot e përplot.
Zikaltrit kryesojnë me 18 pikë të plota, ndërsa bardhezinjtë ndjekin me dy pikë më pak. Një koment të çuditshëm rreth këtij dueli ka dhënë edhe Giuseppe Marotta, shefi ekzekutiv i Interit. Ish-juventini tenton të ulë tensionin, por i befason të gjithë me deklaratën e tij në lidhje me përballjen spektakolare mes kryesuesve.
“Pas Barcelonës na pret një tjetër ndeshje e nivelit të lartë. Ne jemi ekipi kryesues dhe ndeshja me bardhezinjtë nuk është vendimtare. Është thjeshtë ndeshja e radhës, aty ku rëndësi më të madhe do të kenë loja e ekipit sesa rezultati që do arrijmë”, përfundon drejtuesi zikaltër. /abcnews.al