Maroku mban funeralin për pesë vjeçarin që vdiq i bllokuar në pus

schedule02:54 - 8 Shkurt, 2022

schedule 02:54 - 8 Shkurt, 2022

Qindra marokenë janë mbledhur për t’i bërë nderimet e fundit “Rayanit të vogël”, djalit pesëvjeçar që vdiq pasi mbeti i bllokuar në një pus për katër ditë. Rayan Oram ra në pusin 32 metra më 1 shkurt, duke nxitur përpjekje të mundimshme për ta shpëtuar atë. Përpjekja e shpëtimit tërhoqi vëmendjen e mediave në mbarë botën.

Qindra njerëz morën pjesë në funeralin e tij të hënën në fshatin e tij të lindjes, ku ndodhi tragjedia. Kishte aq shumë njerëz saqë nuk mund të futeshin të gjithë në varrezat në majë të kodrës dhe në vendin e lutjes në malet veriore të Rifit.  “Unë jam mbi 50 vjeç dhe kurrë nuk kam parë aq shumë njerëz në një funeral. Rayan është djali i të gjithëve neve,” tha një fshatar për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Kur djali më në fund u nxor nga pusi mbrëmjen e së shtunës, shpëtimi i tij i dukshëm fillimisht u prit me brohoritje nga turmat pranë pusit. Por të gjithë ishin zemërthyer pak minuta më vonë kur u njoftua se shpëtimi ishte shumë vonë dhe se Rayan kishte vdekur. Misioni i shpëtimit ishte vëzhguar në të gjithë botën dhe menjëherë pas shpalljes së vdekjes, homazhet për të nisën kudo në botë.

Në mediat sociale, ku hashtagu #SaveRayan kishte qenë në trend, njerëzit shprehën keqardhje dhe trishtimin e tyre. Mbreti i Marokut Mohammed VI thirri prindërit e djalit dhe u shprehu ngushëllimet e tij më të thella raporton “BBC”. Papa Françesku, teksa shprehu trishtimin e tij, vlerësoi mënyrën “e bukur” se si njerëzit kishin “punuar së bashku për të shpëtuar një fëmijë”.

Lojtarët dhe tifozët në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës në Kamerun mbajtën një minutë heshtje në nderim të Rayanit.  / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!