Bjellorusia është kundërshtari i parë i kombëtares tonë në Nations League. Kuqezinjtë do të përballen nesër në Minsk përballë ekipit vendas, duel që nis në orën 20:45. Trajneri i Bjellorusisë, Mikhail Markhel tregon në konferencën për shtypin se i ka studiuar djemtë e Edi Rejës dhe nuk e cilëson si miqësore këtë sfidë.
“Ndeshja me Shqipërinë si miqësore? E kam shprehur edhe më herët qëndrimin tim për ndeshjet e kombëtares. Nuk ka ndeshje miqësore, për më tepër kemi Ligën e Kombeve dhe përmes këtij kompeticioni mund të arrijmë kampionatet kryesore. Prandaj e konsiderojmë ndeshjen e radhës si zyrtare.
Jemi bazuar te takimi i fundit i kombëtares shqiptare. Ka kaluar shumë kohë që kur kundërshtarët kanë luajtur, por Shqipëria gjithnjë ka përdorur të njëjtën skemë. Mendoj se asaj do i përmbahen edhe në takimin me ne. Kemi pasur mjaftueshëm kohë për të studiuar kundërshtarin dhe të ndërtojmë strategjitë tona taktike“, deklaron Markhel. /abcnews.al