Mark Markez u shpall përsëri kampion i botës në garat e motoçiklizmit. Ky ishte titulli i 7-të në karrierë për pilotin spanjoll, që synon të thyejë çdo rekord të këtij sporti.
Nuk është ende numri 1 i historisë, por edhe mund të bëhet. Mark Markez fitoi titullin botëror në klasin më të lartë të garave të motoçiklizmit, në Moto GP, të pestin në këtë kategori. Kjo, pas triumfit në Çmimin e Madh të Japonisë, në pistën e Motegit, edhe pse ai nuk u nis nga vendi i parë.
Vetëm legjenda si Xhakomo Agostini dhe Valentino Rosi janë ende më lart se ai, veçse piloti spanjoll i ka të gjitha mundësitë të kalojë të paktën njërin nga italianët, të mbiquajturin “Doktori”. Rosi ka fituar 7 Botërorë në Moto GP dhe 9 gjithsej në karrierë, ndërsa Markez ka 5 në Moto GP dhe 7 në total.
Duke qenë vetëm 25 vjeç, piloti i Hondës mund të shpresojë jo vetëm për të kaluar Valentinon, por edhe të ëndërrojë diçka shumë të vështirë, të mbërrijë në 15 titujt e Agostinit. Për momentin, Markez, është në të njëjtin nivel me australianin e famshëm, Mik Duhan, që fitoi po 5 tituj të klasit më të lartë, Moto GP.
Spanjolli ka 296 pikë, ndërsa duhen edhe 3 gara deri në përfundim , por është i paarritshëm nga rivali i tij kryesor, italiani Andrea Doviciozo i Dukatit, që ka 102 pikë më pak. Ky ishte titulli i tretë radhazi për 25-vjeçarin katalanas, që synon të thyejë çdo rekord të motoçiklizmit./abcnews.al