Tani nuk ka më dyshime. Nëse në fillim krahasimet me Majkëll Felps dukeshin të ekzagjeruar, Leon Marsho ka treguar se i meriton të gjitha ato, ashtu si edhe vendin e nderit mes legjendave të notit botëror.
Francezi 22 vjeçar triumfoi sërish në “Paris 2024”, duke marrë medaljen e katërt të artë.
Pas triumfit në garën e 400 metrave stil i përzier, 200 metrave flutur dhe 200 metrave bretkosë, Marsho dominoi edhe në finalen e 200 metrave stil i përzierë.
Ai vendosi kohën 1 minute 54 sekonda e 6 të qindat, duke lënë pas britanikun Duncan Scott dhe kinezin Uang Shun, që morën përkatësisht medaljen e argjendit dhe atë të bronzit.
Me këtë triumf, Leon Marsho merr një vend në klubin e më të mëdhenjve të notit, duke u bërë notari I katërt në histori që arrin të fitojë katër medalje ari në katër gara të ndryshme gjatë një Olimpiade. Më parë e kishin arritur Majkëll Felps, dy herë në vitin 2004 dhe 2008, Mark Spitz në 1972 dhe Kristin Otto në vitin 1988.
Jo vetëm kaq. Pasi Marsho është kthyer në heroin e Francës dhe kjo konfirmohet nga më shumë se 15 mijë tifozët e pranishëm në pallatin e sportit “Defense Arena”, përfshirë edhe presidentin Manuel Makron, që e nderoi personalisht notarin.
Bashkë me francezët edhe bota e notit ekzalton 22-vjeçarin, që duket në rrugën e duhur për të thyer rekordin historik të Majkëll Felps, që në karrierën e tij spektakolare mori 22 medalje të arta olimpike, bashkë me ato ekipore.
/abcnews.al