Maratona e Tiranës/ Të shtunën dhe të dielën në kryeqytet devijohet trafiku

schedule15:40 - 18 Tetor, 2024

schedule 15:40 - 18 Tetor, 2024

Fundjava rikthen në kryeqytet maratonën e cila prej 8 vitesh është bërë traditë në Tiranë. Aktiviteti do të shtrihet në rrugët kryesore të qytetit dhe gjatë zhvillimit të garave sportive do të bllokohet qarkullimi për automjetet.

Të shtunën “Maratona Fun Run” nis në sheshin “Nënë Tereza” dhe përfundon në krah të instalacionit “Reja”. Nga ora 9 e mëngjesit deri në 11 paradite, për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, automjetet me përjashtim të atyre të emergjencës dhe policisë, ndalohet të kalojnë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Pezullim të itinerarit të lëvizjes gjatë të gjithë bulevardit dhe sheshit “Nënë Tereza” do të ketë dhe për linjat e autobuzëve qytetas.

Të dielën në Tiranë do të zhvillohen katër gara të ndryshme, më e gjata për atletët profesionistë 42 kilometra dhe lëvizja e automjeteve do të kufizohet në më shumë rrugë të kryeqytetit. Nga ora tetë e mëngjesit deri në katër pasdite makinat e kanë të ndaluar të kalojnë në të gjithë perimetrin e maratonës. Duke nisur nga sheshi “Nënë Tereza” vijuar në të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Gjergj Filipi” “Papa Gjon Pal II”, “Ismail Qemali”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Bajram Curri” me kryqëzimin e rrugës së “Elbasanit”, rrugën “George Ë Bush”, “Abdi Toptani”, bulevardin “Zogu I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark”, nga kryqëzimi me urën e Gjykatës Tiranë, deri te Ura Taiwan duke përfunduar në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.

Itinerari I lëvizjes së autobuzëve urban ndryshon duke mos prekur segmentet ku zhvillohen garat ndërsa automjetet për transport pasagjerësh dhe mallrash ndalohet të qarkullojnë në brendësi të unazës së madhe nga ora tetë e mëngjesit deri në katër pasdite.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!