“Maradona bamirës i madh”, kur “Dora e Zotit” tentohej në miqësoren mes baltës

schedule08:39 - 29 Nëntor, 2020

schedule 08:39 - 29 Nëntor, 2020

Ekziston një anekdotë për kohën kur Diego Maradona, i cili u nda nga jeta dhe ngriu gjithë botën gjatë ditëve të fundit, ishte pjesë e Napolit dhe ajo tregohet ende vazhdimisht nga ish-shokët e tij të ekipit. Në atë kohë ai nuk iu përmbajt urdhrave të klubit për të mos shkuar dhe mori pjesë në një ndeshje bamirësie në një fushë plot me baltë.

Pikërisht në atë ndeshje zbulohet se ai aplikoi për herë të parë “Dorën e Zotit”. Disa pjesë të betejës, ndër to edhe supergol solo janë filmuar nga dikush, i cili kishte një kamera, diçka e rrallë në fillim të viteve 1980 në Itali.

“Kur Pietro Puzone, shoku ynë i skuadrës, na kërkoi të ndihmonim prindërit e një fëmije, i cili duhej të bënte një operacion shumë të shtrenjtë në sytë e tij dhe nuk kishte para, Diego menjëherë tha po”, shpjegoi Bruno Bruscolotti, ish-lojtar i Napolit në atë kohë.

“Ai kishte provuar sesi ishte të ishe i varfër dhe nuk hezitoi të ndihmonte në atë situatë. Maradona i jepte gjithmonë para kamerierëve dhe pjatalarësve, por kjo nuk ishte asgjë. Ai vazhdimisht bënte punë bamirësie. Na mësoi kaq shumë dhe jo vetëm në fushën e futbollit”, tregonte Bruscolotti.

Shumë shokë të ekipit kanë treguar historinë e kohës kur Maradona erdhi në Acerra, në periferi të Napolit, me të gjithë skuadrën e Napolit të veshur me uniformat e para të ekipit për të luajtur një ndeshje bamirësie në një fushë me baltë në vitin 1984.

Imazhet e lojtarit më të madh në botë duke kryer nxehjen në një parking makinash, para se të luante në një fushë me asnjë fije bari në të, tregojnë shumë.

Thuhet se Napoli nuk dha leje për ndeshjen, pasi kompania e siguremeve nuk do të mbulonte lojtarët në ato kushte, por Diego e pagoi vetë. Njeriu që po gjykonte atë lojë, Pasquale Castaldo, zbulon një detaj tjetër intrigues për Corriere dello Sport.

“Ai shënoi një gol me teknikën ‘Dora e Zotit ’, por unë e anulova. Të gjithë menduan se kisha fërshëllyer për pozicion jashtë loje, por unë e bëra atë për prekje të topit me dorë. Diego e pranoi se e kishte bërë dhe më përgëzoi në fund të ndeshjes.

Unë ua kam treguar këtë histori fëmijëve dhe nipërve të mi. Kurrë nuk do ta harroj atë ndeshje”, tregon Castaldo. Maradona do të provonte të njëjtën hile dy vite më vonë kundër Anglisë, por gjyqtari atë kohë nuk ishte aq i mprehtë sa një roje parkingu në pension. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!