Pavarësisht vendimit të qeverisë së Hungarisë për dhënien e azilit politik për ish kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski, Shkupi do të vazhdojë përpjekjet për ekstradimin e tij. Ndërkohë dhe opozita në Hungari kërkon arrestimin e tij.
Maqedonia do të kërkojë ekstradimin e ish-kryeministrit Gruevski, ndërsa vazhdojnë procedurat për ekstradimin e Gruevskit pas largimit të tij në Hungari.
Ministria e Drejtësisë në Maqedoni, me anë të një deklarate për mediat konfirmoi se deri janë marrë masat e duhura për përgatitjen e dokumentacionit të plotë me të cilin do të kërkohet ekstradimi i tij.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u shpreh optimist duke thënë se priste bashkëpunim të plotë nga shteti hungarez.
Ndërkohë partitë opozitare hungareze i kanë bërë thirrje qeverisë hungareze të arrestojë dhe të ekstradojë ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski sa më shpejt.
Partia nacionaliste hungareze “Jobbik” si dhe partitë e majta “Dialogu” dhe koalicionet Demokratike, këmbëngulën në faktin se Gruevskit duhet ti refuzohet azili dhe duhet të ekstradohet në Maqedoni. Zëdhënësi i “Jobbik” Adam Mirkocki, e cilësoi rastin si një skandal të paprecedentë, duke theksuar se Gruevski është kriminel në kërkim nga një vend ku nuk ka luftë, dhe se ai nuk është i përndjekur mbi baza fetare apo politike. Richard Barabash, zëdhënës i “Dialogut”, theksoi se vendi i Gruevskit është në qeli. /abcnews.al