Maqedonia e Veriut është futur së fundmi në një udhëkryq, pas dorëheqjes së Zoran Zaev. Opozita e udhëhequr nga partia e drejtuar prej vitesh nga Gruevski, VMRO-DPMNE, tashmë nën drejtimin e Mickovskit ka arritur të mbledhë 61 firma, me të cilat kërkon të organizojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë Zaev. Ky i fundit paralajmëroi dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve lokale, gjë të cilën nuk e ka dhënë deri më tani, nisur nga lëvizjet që po bën opozita. Përballë Zaevit dhe Ahmetit, përveç Mickovskit janë radhitur edhe partia Besa; koalicioni Alternativa-ASH si edhe partia “ E majta”. Bëhet fjalë për një koalicion, i cili qëllim kryesor ka në fakt rrëzimin e Zaevit dhe BDI-së pasi nuk i bashkon asgjë si në politikë bërje as edhe raporti me orientimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut.
Së fundmi i ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Agim Nuhiu ka folur për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ai ka akuzuar partitë e tjera shqiptare atje, për bashkëpunim me parti që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
“Jemi të shqetësuar si Bashkim Demokratik për Integrim për faktin e shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë të cilët i kanë dhënë legjitimitetin real subjektit që quhet BDI që të qeverisë vendin”, tha Nuhiu.
“Shqetësuese janë pretendimet e partive të vogla shqiptare të cilat nuk zgjedhin mjete për të bërë aktivizma të përbashkët edhe me dreqin, edhe me një parti e cila është e majtë, ka në programin e vetë të proklamuar në mënyrë publike qëndrimin anti NATO, heqjen e njohjes së Kosovës e shumë çështje të tjera”, theksoi ai.
“Në zgjedhjet vendore BDI u fut në dekadën e tretë të fitoreve ndërkaq këto partitë e vogla u përgjysmuan”, tha Nuhiu.
Ndërkohë, pedagogu Idaver Sherifi theksoi se dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev solli një oreks të opozitës për të lëvizur gurët në mënyrë që të fitojë pushtetin.
Megjithatë sipas Sherifit, opozita në Maqedoninë e Veriut ka rënë në një far kurthi të Zoran Zaev, pasi situata nuk premton asgjë.
“Dorëheqja Zaev hapi oreksin opozitës. Dhe kjo bëri që të lëvizin gurët, nga VRMO duke tentuar të bëjë një shumicë të re. Dukej shumë shpresëdhënëse por tashmë duket se ka pikëpyetje deh për vazhdimësi e saj. Opozita ka rënë në një far kurthi të Zaev.” tha Sherifi.
Mes të tjerash, pedagogu Idaver Sherfi është shprehur se lëvizjet e fundit të opozitës ishin të pamatura. Për Sherifin gabimin strategjik më të madhe e ka bërë “BESA” dhe opozita shqiptare. Në përfundim Sherifi theksoi se më shumë “dhimbje koke” do të kenë partitë e tjera shqiptare sesa BDI.
“Kam përshtypjen që situata aktuale në Maqedoni me shumicën e re opozitarë nuk premton gjë. Edhe nëse qeveria nuk bie, do jetë probleme i madh për opozitën. Por edhe nëse arrin ta rrëzojë qeverinë, kjo do t’i shërbejë më shumë Bashkimit Demokratik për Integrim se opozitës. Kjo e funidit do të jetë pjesë e qeverisë për një kohë të shkurtër, por do pasojë BDI-në për të gjitha ato gabime që mund të ketë bërë për një kohë të caktuar. Në zgjedhjet e ardhshme, BDI do futet si parti opozitare duke bërë një fushatë si opozitë. Prandaj këtë mocion mosbesimi e shoh si një hap të pamatur të opozitës. Opozita shqiptare ka bërë një gabim strategjik, sidomos BESA, se kanë rrezikuar reputacionin e tyre para elektoratit shqiptar. Taravari dhe të tjerët mohojnë “Të majtën” por tregohet se nuk mund të ketë qeveri të re pa ta. Është një problem që do t’u krijojë “kokë dhimbje” partive shqiptare më shumë se BDI. Se në të dy pozicionet është komode për më vonë.” tha Sherifi. /abcnews.al/