Maqedonia në prag të referendumit për emrin

schedule22:57 - 26 Shtator, 2018

schedule 22:57 - 26 Shtator, 2018

Fushata për referendumin në Maqedoni është drejt fundit, në një kohë partitë kanë në dispozicion të mërkurën dhe të enjten për të mbrojtur qëndrimet e tyre para qytetarëve.

Maqedonia është në ethet e prag  referendumit. Partitë e koalicionit “Bashkë për Maqedoninë Evropiane” janë në kulmin e fushatës për të bindur qytetarët që të jenë pjesë e votimit “historik’ të së dielës, opozita maqedonase nga ana tjetër edhe pse nuk ka bërë thirrje për dalje apo mosdalje në votim, fushatën e saj po e përmbyll me konferenca për media, me propagandë në rrjetet sociale dhe ndonjë tubim të rrallë, ndërsa në epiqendër ka sulmet ndaj marrëveshjes “kapitulluese” me Greqinë.

Edhe partitë shqiptare ndodhen në fushatë dhe të gjitha pa përjashtim janë përqendruar në thirrjet drejtuar elektoratit shqiptar për dalje sa më masive në votimin e së dielës.

Dalja në përqindje sa më të lartë, apo mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm votues, referendumin do ta bënte të suksesshëm, pasi në të kundërtën zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, që duhet të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese, do të ishte tepër i vështirë.

Maqedonia ka rreth 1.8 milionë votues dhe që referendumi të jetë i vlefshëm në votime duhet të dalin mbi 50 për qind e atyre apo rreth 900 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Maqedonia në këto tre javët e fushatës së referendumit është vizituar nga shumë personalitete të larta evropiane e botërore, që nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg e shumë kryeministra e shefa të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së. Emëruesi i përbashkët i mesazheve të tyre ka qenë dalja në referendum dhe votimi i marrëveshjes me Greqinë, si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.

Kryeministri, Zoran Zaev të martën i bëri thirrje opozitës “të mos merret me lajme të rreme”, por të ftojë qytetarët që të dalin në referendum dhe pasi këtë ajo sipas kreut të qeverisë do të realizojë kërkesën dhe premtimin e dhjetë viteve të fundit se “për çështjen e emrit të shtetit duhet të vendosin qytetarët në referendum”.

Fushata e referendumit është shoqëruar edhe me debatin dhe frikën mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në procesin e votimit. Shqetësimet janë ngritur në veçanti pas deklaratës të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, se Rusia mund të “dëmtojë” referendumin, pasi publikisht e ka kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Në rast se referendumi i së dielës ka sukses, kjo i hap rrugën ndryshimeve kushtetuese, e të cilat do të pranohen edhe nga opozita, bazuar në qëndrimet e saj se nëse shumica vendos për të pranuar marrëveshjen me Greqinë, atëherë këtë do të bënte edhe ajo me mbështetjen e paktit me Athinën.

Me këtë, Maqedonia do të ndërrojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe mbylljen e debatit 27-vjeçar me Greqinë, të cilin ajo e ka shfrytëzuar për të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!