Maqedonia hoqi të gjitha masat kufizuese anti-Covid

schedule11:12 - 4 Maj, 2022

schedule 11:12 - 4 Maj, 2022

Maqedonia e Veriut si shumë vende të rajonit tashmë ka hequr të gjithë masat kufizuese anti-Covid. qeveria në mbledhjen e një dite më parë ka vendosur heqjen e mbajtjes së maskës së detyrueshme në institucionet shëndetësore, farmacitë dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Me konkluzion nga seanca, Qeveria rikonfirmon rekomandimet për respektimin dhe praktikimin e masave themelore parandaluese për mbrojtje si mos grupimi dhe ruajtja e distancës fizike, mbajtja e maskave mbrojtëse në vende publike, veçanërisht në ambiente të mbyllura kur nuk ka mundësi për distancë fizike. si dhe higjiena e rregullt personale, ajrimi i ambienteve të brendshme dhe izolimi në shtëpi në kushtet e simptomave të sëmundjeve të sistemit të frymëmarrjes”, ka bërë me dije qeveria e Maqedonisë.

Me konkluzionet nga seanca e Qeverisë, qendrave shëndetësore u rekomandohet intensifikimi i vaksinimit në terren të të rriturve mbi 80 vjeç për shkak të mbulimit të ulët me imunizimin e kësaj grupmoshe, si dhe vazhdimi i vaksinimit tek profesionistët shëndetësorë.

Ndërkohë komisioni për Sëmundjet Infektive thotë se vaksinimi mbetet masa më e mirë dhe më efektive për mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Komisioni monitoron situatën me COVID-19 në baza ditore dhe siç ishte paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, nëse është e nevojshme, do të rekomandohen masa të reja.

Gjithashtu kujtojmë se edhe vendi ynë duke filluar nga 1 maji ka hequr kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Sipas vendimit të Komitetit Kombëtar për përballjen me pandeminë, për hyrjen në Shqipëri nuk kërkohet çertifikatë vaksinimi kundër koronavirusit, test negativ apo certifikatë infeksioni, gjithashtu janë rihapur edhe klubet e natës dhe janë hequr dhe ndalimi i transmetimit të muzikës pas orës 23 në restorante. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!