Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kane votuar sot për presidentin e ri të vendit. Kutitë e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe ishte parashikuar të mbylleshin në orën 19.00.
Por në qendrat e votimit ku ende ka votues, procesi ka vijuar edhe në këto momente.
Sipas të dhënave më të fundit, të bëra publike nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, deri në orën 17.00 kishin marrë pjesë në zgjedhje 35, 13 % e votuesve. Ndërkaq ky komision sapo nisi në këto çaste një tjetër Konferencë shtypi, për të prezantuar të dhënat më të reja mbi pjesëmarrjen në votimet e sotme. Mbi 1.8 milionë persona ishin të regjistruar në listat e votuesve në këto zgjedhje.
Në garë janë 3 kandidatë: Stevo Pendarovski, kandidat i koalicionit qeveritar, Gordana Siljanovska, kandidatja e mbështetur nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka, kandidati i vetëm shqiptar, i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave pas zgjedhjeve të sotme, dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj. Në raundin e dytë, pjesëmarrja e elektoratit duhet të jetë së paku 40% në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm. Në këtë rast fitues shpallet kandidati që merr më shumë vota. /abcnews.al