Maqedonia e Veriut vaksinon 100 mijë persona

schedule12:45 - 8 Maj, 2021

schedule 12:45 - 8 Maj, 2021

Imunizimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar me ritme të shpejta dhe deri të premten numri i personave të vaksinuar, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, ka arritur në afër 100 mijë persona.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë ditore janë vaksinuar mes 10 dhe 15 mijë persona, ndërsa është rritur edhe numri i personave që po shprehin interesim për vaksinim.

Imunizimi po bëhet me vaksinën e kompanisë kineze, Sinopharm si dhe me atë të Rusisë, Sputnik.

Në mesin e të vaksinuarve janë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Unë kam marrë vaksinën nga Sinopharm. Të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe i bëj thirrje të gjithëve që të jenë të vetëdijshëm se vaksinat janë të sigurta, që të gjitha janë zhvilluar në platforma të sigurta. Efektet anësore janë me të vërtetë të vogla, ka indikacione të sakta ose kundër indikacione për grupmoshat ose disa kategori specifike kritike të qytetarëve që nuk do të kenë nevojë të marrin një vaksinë”, ka deklaruar Filipçe.

Ai po ashtu ka thënë se vaksinimi përveç që ka rëndësi të madhe për kthimin e vendit në gjendjen normale, ai do të jetë vendimtar edhe për lëvizjen e qytetarëve.

Gjithashtu Ministri i Shëndetësisë, Filipçe njoftoi se Greqia duhet të hapë kufirin më 14 maj, por hyrja në këtë vend do të lejohet vetëm me një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose me një vërtetim të vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19.

Maqedonia e Veriut të premten ka regjistruar 234 persona të infektuar me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19 si dhe 25 të vdekur.

Si numri i të infektuarve ashtu edhe i viktimave është shumë më i ultë apo për rreth 40 për qind krahasuar me periudhën e para tre javësh, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas raportit, numri i personave të shëruar në bazë ditore ka shkuar në mbi 1 mijë persona, sikur që është ulur edhe numri i personave të shtrirë në spitale.

Që nga paraqitja e pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19 janë diagnostikuar 153,694 persona, prej tyre 137,331 janë shëruar, 5,067 kanë vdekur dhe 11,296 janë ende raste aktive./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!