Maqedonia e Veriut shënon 31-vjetorin e pavarësisë, shkëputja nga ish-jugosllavia dhe rruga drejt BE-së

schedule14:55 - 8 Shtator, 2022

schedule 14:55 - 8 Shtator, 2022

Maqedonia e Veriut 31 vjet më parë shpalli pavarësinë e saj nga ish-Federata jugosllave përmes një referendumi popullor.

Referendumi atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë pasi që ishin të pakënaqur me pozitën e tyre.

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të 20-të.

Pasi ish-shteti RSF e Jugosllavisë u shpërbë, u formuan shtete të mëvetësishme, në mesin e të cilave edhe Republika e atëhershme e Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, që shënon 31-vjetorin e pavarësisë, pas referendumit që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendum pozitivisht iu përgjigjën pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Paraprakisht, më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata për Pavarësi e Parlamentit të parë shumë-partiak të Maqedonisë. Si një hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator 1991 në Kuvendin e Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë nga ana e Kuvendit më 27 janar të vitit 1991. Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1991, ndërsa më pas bëri edhe armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Negociatat mes Shkupit dhe Athinës u aktualizuan pas takimit të parë të kryeministrit Zaev me kryeministrin e atëhershëm grek Alexis Tsipras, gjatë Samtit në Davos në janar të vitit 2018. Pas mbajtjes së negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin që u zhvilluan nën sponsorizim të Kombeve të Bashkuara (OKB), u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia ndërroi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të tij, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018. Pyetja e referendumit ishte “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë, NATO, ishte qëllim strategjik i vendit për shumë vite. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të vitit 2019 e nënshkruan Protokollin për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e më pas atë e ratifikuan parlamentet e të gjitha anëtareve të aleancës, me çka vendi më 27 mars të vitit 2020 zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.

Përveç marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, në gusht të vitit 2017 u nënshkrua Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë. Marrëveshja ka për qëllim ta zhvillojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, si dhe për të ardhur deri te harmonizimi i disa çështjeve të historisë.

Pas Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur në Shkup më 27 korrik, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku emëruan “Ballkani i hapur” nismën e ashtuquajtur “mini-Schengen”.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina aktualisht nuk e mbështesin këtë nismë, pasi e konsiderojnë atë pa synime të qarta për rajonin, ndërsa tre vendet pjesëmarrëse në këtë nismë thonë se synimi përfundimtar i kësaj nisme është angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!