Ambasadori i Francës në Maqedoni, Christian Timonier, ka folur zhvillimet e fundit në vend. Ai thotë se duhet amnisti, por thekson se që kjo të realizohet duhet impenjim nga të gjitha palë.
Qëllimi i amnistisë së paralajmëruar në Maqedoni duhet të jetë një pajtim i llojit të vet që është tepër i ndërlikuar e që duhet të sjellë bashkëekzistencën drejt objektivit thelbor të vendit, integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar për seksionin maqedonas të Radios Evropa e Lirë ambasadori i Francës në Shkup, Kristian Timonie. Sipas tij, që kjo të bëhet realitet, duhet impenjimi i gjithë shoqërisë dhe forcave kryesore politike, përfshirë këtu edhe opozitën. Ambasadori francez, me këtë rast ka tërhequr vërejtjen për departizimin e administratës.
Christian Timonier, ambasadori i Francës në Maqedoni, ka folur me tone optimiste për kapërcimin e krizës nëpër të cilën kaloi vendi, pas megaskandalit të përgjimeve që shpërfaqi kapjen partiake të shtetit, mirëpo, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai ka folur hapur për sfidat përballë të cilave ndodhet vendi e që, si të tilla janë të evidencuara në raportin e ekspertëve evropian në ballë me Reinhard Pribenë. Diplomati Timonier vlerëson se zbatimi i Reformave dhe Marrëveshja e Prespës me Greqinë, lidhur me emrin, do ta bëjnë të kapshëm integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.
“Nga ana tjetër, gjithë kjo ka kuptim nëse vendi ia del të zhbllokojë pozitën e vet karshi botës. U arrit Marrëveshja e Prespës, të ciln ne e mbështesim dhe që duhet të hapë dyert për në NATO, por po ashtu do të evitojë veton greke për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, vlerëson ambasadori i Francës në Maqedoni.
Sipas tij, tani është koha që e gjithë shoqëria, veçmas partitë parlamentare, të zgjohet dhe që të tejkalohen ngecjet në thellimin e reformave, që deputetët, sidomos ata të opozitës, të bëhen pjesë e procesit për ndryshimin e vërtetë strukturor e cilësor të jetës politike. Diplomati francez, në këtë rrafsh, ngecjet më të mëdha i shikon në sistemin e drejtësisë.
“Duket së më së shumti është në jurisprudence, për shkak se kjo është fusha më e shumëpritur. Pika e dytë është çështja që lidhet me departizimin e administratës, për shkak se zëvendësimi u bë sipas formave që u ngjasojnë atyre të mëparshmeve, mbase ekzistojnë arsye të caktuara për t’ju përgjigjur partizimit nga e kaluara. Që të mund të ndodhin ndryshimet ishte e domosdoshme të zëvendësohen njerëz në administratë, por a u bë ky ndërrim i kuadrove në bazë të kompetencave ose ndoshta të përkatësisë politike, nuk e di, kjo vazhdon të mbetet çështje e hapur”, thotë ambasadori francez duke pranuar se dyshon në partizimin e ri të administratës në Maqedoni.
Lidhur me çështjen tepër aktuale e të shumëdebatueshme, atë të mundësisë së amnistimit të protagonistëve kryesorë në ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit të vitit të kaluar në Parlamentin e Maqedonisë, ambasadori francez, bën thirrje për veprime të kujdeshme, sidomos, tërheq vëmendjen ai, që të mos ketë instrumentalizim të sistemit të drejtësisë:
“Kuptohet se ka aspekte teknike të kësaj çështjeje, por po ashtu edhe çështje që lidhen me balancën mes partive politike. Gjithë kjo nuk mund të arrihet pa negociata të sinqerta midis partive të mëdha politike, por ato edhe duhet të kenë qëllimin e njëjtë dhe jo që kjo të bëhet amnisti e ndërsjellë midis mafiozëve, por që të jetë përmbushje e interesit të përgjithshëm. Zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes negociatave, për shkak se amnistia mund të ngërthejë edhe etapa suksesive dhe qëllimi i amnistisë duhet të jetë një pajtim i llojit të vet që është mjaft i ndërlikuar dhe duhet të sjellë bashkëjetesën drejt objektivit thelbësor të vendit, integrimit evropian dhe integrimit në në Aleancën e Atlantikut”, vlerëson kryediplomati francez në Shkup, në intervistën dhënë seksionit maqedonas të Radios Evropa e Lirë./abcnews.al