Maqedoni, të hënën fillon debati për ndryshimet kushtetuese

schedule22:59 - 28 Tetor, 2018

schedule 22:59 - 28 Tetor, 2018

Të hënën, Kuvendi i Maqedonisë fillon debatin për hartimin e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese që kërkohen nga marrëveshja për emrin me Greqinë. Opozita shprehet se nuk do të marrë pjesë pasi është në dëm të vendit.

Pas kalimit të fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, të hënën në Kuvendin e Maqedonisë pritet të nisë debati mbi hartimin e amendamenteve, me propozim të Qeverisë. Por në të do të përfshihen të gjitha grupet parlamentare në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të gjitha partitë. Amendamentet duhet të jenë në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut.

Do të ndryshohen katër amendamente, përfshirë edhe preambulën për të hequr emrin Maqedoni dhe mbiemrin maqedonas nga të gjitha nenet e Kushtetutës, por edhe element të tjerë që bien në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më 17 Qershor në Prespë. Me këtë marrëveshje, përfundimisht Maqedonia do të zgjidhë kontestin 27-vjeçar me Greqinë, e cila nga ana tjetër, do të heqë veton për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian.

Lidhja Social-Demokrate i ka bërë thirrje deputetëve të kuvendit që të mbështesin edhe fazën e dytë të ndryshimeve kushtetuese, në veçanti atyre që nuk votuan propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimet kushtetuese.  Nga opozita njoftuan se mbeten në qëndrimin se “marrëveshja është e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe qenien maqedonase në përgjithësi”, andaj edhe nuk do të mbështesin asnjë fazë të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëjnë thirrje “të respektohet vullneti i popullit në referendumin më 30 Shtator, të cilin e bojkotoi rreth 70 për qind e popullatës si shprehje e revoltës me marrëveshjen kapitulluese”.

Ndërkohë edhe partitë opozitare shqiptare do të ndërhyjnë me disa amendamente për zgjidhjen sipas tyre të çështjeve që kanë të bëjë me shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, kërkojnë që shqiptarët në Kushtetutë të jenë popull shtetformues, ndërsa gjuha shqipe të mos trajtohet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës, por si gjuhë shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!