Maqedoni, Gjykata e Apelit konfirmon dënimin me burg për Gruevskin

schedule14:11 - 5 Tetor, 2018

schedule 14:11 - 5 Tetor, 2018

Gjykata e Apelit në Maqedoni konfirmoi dënimin me burg për ish kryeministrin Nikolla Gruevski. Ai është shpallur fajtor për korrupsion dhe shpërdorim fondesh publike. Ndërkohë, Gruevski pretendon se ky është një rast i montuar politik.

Gjykata e Apelit në Maqedoni konfirmoi dënimin me burg për 2 vite e gjysëm për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Ai është shpallur fajtor për korrupsion dhe për shpërdorimin e fondeve të buxhetit publik. Më konkretisht për presion ndaj zyrtarëve të ministrisë së Brendshme të Maqedonisë në blerjen e një automjeti luksoz “Mercedez”, me shumën e 600 mijë eurove.

“Ankesat e të akuzuarit Nikolla Gruevski janë refuzuar si të pabaza, ndërkaq konfirmohet plotësisht vendimi i shkallës së pare”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup.

Për këtë ka reaguar dhe vetë Gruevski.

Nikolla Gruevski: “Siç e dini bëhet fjalë për përndjekje politike, për proces të montuar politik që po vijon. Gjëja e vetme që u ndryshua nga konferenca për shtyp që mbajta në Kuvend kohë më parë, është që bënë shtyerjen e vendimit për pas referendumit në vend që ta jepnin para tij. Bëhet fjalë për përndjekje klasike politike, për akuza se kam ndikuar që të blihet automjet me qëllim që krahas të tjerëve edhe unë të udhëtoj me të”.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se vendimi hyn menjëherë në fuqi. Fillimisht Gruevski duhet ta pranojë me shkrim vendimin dhe të konfirmojë se nuk do të apelojë përsëri. Ndërsa më pas gjykatësi për zbatimin e sanksioneve duhet t’i dorëzojë atij akt udhëzues, në të cilin shkruhet dita kur duhet të paraqitet në burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!