Maqedoni e Veriut, të dielën emrat e rinj të qeverisë

schedule19:56 - 21 Qershor, 2019

schedule 19:56 - 21 Qershor, 2019

Emrat e rinj të ekzekutivit të Zoran Zaev dhe ato të krerëve të institucioneve kryesore të Maqedonisë së Veriut do të publikohen ditën e diel. Sipas paralajmërimeve të bëra nga vetë kreu i qeverisë, do të jenë 8 ministra dhe 20 drejtues të rinj institucionesh që së shpejti do të marrin detyrën.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dielën do ta dorëzojë në Kuvend propozimin për rikonstruimin e Qeverisë, e jo sot ashtu sic ishte paralajmëruar. Sic ka thënë Kryeministri, vendimet tashmë janë marrë, duke mos zbuluar detaje se cilët ministra do të ndërrohen. Shkaku i anulimit, sipas kryeministrit Zaev, është vizita e mysafirëve të huaj dhe përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Shkup.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut: “Vendimet janë marrë. Të dielën pasdite do të dorëzojmë në Kuvend materialet për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në qeveri dhe atëherë do të bëj publike të gjitha detajet lidhur me emrat, për shkak se është parimore dhe e ndershme që kur të publikohen të bëhen komentet”.

Sipas paralajmërimeve të tij do të të ketë gjithsej tetë ndërrime ministrash e zv/ministrash dhe rreth 20 drejtuesve të ndërmarrjeve publike. TV Klan Macedonia mëson se në ekipin përfaqësues të BDI-së do të ketë dy ndryshime në rang ministror: Ekonomisti me përvojë evropiane Naser Nuredini është emër i ri në kabinetin qeveritar dhe do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit e të Planifikimit Hapësinor, kurse Sadulla Duraku, që deri tash ishte në ballë të këtij dikasteri, do të drejtojë Ministrinë e re për Sistem Politik. Paralajmërohet se integristët do të propozojnë edhe emra të rinj të drejtuesve të disa drejtorive të ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse Kryeministri ka rënë dakord për ‘rokadën’ me Rilindjen Demokratike Kombëtare që PLD-ja të marrë Ministrinë e Pushtetit Lokal kurse kësaj partie t’i jepet ndonjë dikaster tjetër. Pas dorëheqjes së Asaf Ademit nga posti i ministrit të Kulturës, mësohet se në vend të tij, po nga Alternativa, do të vijë profesori universitar Hysni Ismaili. /ABc news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!