Maqedoni e Veriut, nis projekti për regjistrimin e popullsisë

schedule19:32 - 14 Qershor, 2019

schedule 19:32 - 14 Qershor, 2019

Ka nisur të premten në Maqedoninë e Veriut testi i parë për regjistrimin e popullsisë. Procesi po realizohet në rrugë elektronike dhe krahas maqedonishtes është edhe në gjuhën shqipe.

Nga sot e deri më 30 qershor do të mbahet pilot regjistrimi i popullsisë, amviserive dhe banesave në të gjitha tetë rajonet planore të RMV-së, gjegjësisht nëpër katër rrethe dhe atë dy urbane dhe dy rurale, informojnë nga Enti Shtetër i Statistikës. Në rajonin e Pollogut pilot regjistrimi do të zhvillohet në komunën e Gostivarit dhe atë dy rrethe regjistrimi në qytet, një në fshatin Forinë dhe një tjetër në fshatin Vrutok, informon Arsim Nuredini, Instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

“Në regjionin e Pollogut e kemi zgjedhur qytetin e Gostivarit ku do të kemi mbikqyrje në  Gostivar, Forinë dhe Vrutok. Ky pilot regjistrim do të vazhdojë prej sot deri më 30 qershor, sot e kemi vetëm mbikqyrjen e terrenit, prej nesër fillon regjistrimi nëpër familje”, tha Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Nuredini thekson se ky pilot regjistrim që ka për qëllim testimin e aplikacionit i cili do të bëhet me pajisje elektronike, nuk le hapësirë për manipulime, pasi që, siç shprehet ka kontroll nga instruktorët shtetërorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave.

“Nuk besoj se do të ketë manipulime në këtë lloj regjistrimi, sepse kjo është vetëm një regjistrim testues, sepse provohet testimi i aplikacionit se si do të shkojë puna në terren që të jemi të gatshëm për regjistrimin e ardhshëm që do të mbahet në prill të vitit 2020. Secila punë që bëhet në terren ka kontroll edhe prej nesh, pra instruktorëve shtetëror, por ka edhe supervizorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave”, theksoi Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Në këtë operacion do të marrin pjesë 16 instruktorë shtetërorë dhe 32 regjistrues. Pilot – regjistrimi do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në shqip, kurse të dhënat e mbledhura nga terreni nuk do të bëhen publike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!