Goglat e vunë Italinë në grupin A, aty ku do të përballet me Zvicrën, Turqinë dhe Uellsin. Një grup i pranueshëm, por Roberto Mancini nuk e cilëson aspak të thjeshtë. Trajneri i kombëtares italiane ka analizuar rivalët në një prononcim për Radio Anch’Io Sport.
Mancini ndalet edhe te lojtarët e rinj, teksa e mbyll me një koment për titullin kampion në Serie A. Interi po i befason të gjithë dhe do rivalizojë deri në fund me Juventusit, por trajneri ndjen keqardhje që ekipe të tjera nuk po arrijnë të luftojnë për titull.
SHORTI – “Grupi nuk është kaq i thjeshtë sa e bëjnë njerëzit, por mund të jemi optimistë. Mendoj se të tre rivalët tanë nuk kanë asgjë për të humbur. Ata kanë lojtarë të rinj dhe shumë të aftë në përbërje”.
RIVALËT – “Zvicra mbetet gjithmonë një skuadër e bezdisshme për t’u përballuar. Trajneri i tyre e njeh në perfeksion futbollin italian. Surpriza mund të jetë Uellsi. Mos të harrojmë edhe Turqinë, arritën t’i merrnin 4 pikë Francës në grup”.
TË RINJTË – “E vetmja mënyrë për t’i njohur nga afër lojtarët e rinj ishte grumbullimi. Është e vërtetë që kam thirrur shumë të rinj në kombëtare. Grupi që do të marrë pjesë ne Europian është përcaktuar përgjithësisht. Nëse del ndonjë lojtar i ri si Paolo Rossi apo Sqillaci… do na bëhej qejfi”.
SERIE A – “Interi e meriton të jetë në krye me Juventusin, por është ende herët për të folur për titullin kampion. Më vjen keq që Milan, Napoli, Roma dhe Lazio nuk ndodhen në garën për titull”. /abcnews.al