Italia vazhdoi serinë e rezultateve pozitive duke mposhtur 0-3 Bosnjen, duke i fituar të gjitha ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Europianit. ‘Azurrët’ arritën një rekord të ri, me 10 ndeshje rradhazi të fituara. Skuadra e Roberto Mancinit theu rekordin që e kishin vendosur në vitin 1938-39, me 9 fitore rradhazi. Trajneri italian ishte shumë i lumtur për rezultatin dhe këtë e deklaroi edhe për mediat pas ndeshjes.
“Është një nder për mua të kaloj rekordin e vendosur nga legjendari Vittorio Pozzo. Jam i lumtur për këtë, nuk mund të gënjej”, deklaroi Mancini për ‘Rai Sport’. “Ishte një ndeshje e shkëlqyer nga ana jonë. E dinim që nuk do të ishte një sfidë e lehtë, pasi Bosnja në shtëpi është një ekip solid dhe nuk të lejon shumë hapësira”, shtoi italiani.
Më pas ai foli edhe për emra të veçantë: “Sandro Tonali luajti mirë. Ai nuk është Marco Verrati, por ka karakteristika të ngjashme. Nicolo Zaniolo ka një rol tjetër nga ai që luan tek Roma, por ai po përshtatet shumë shpejt”. Për sa i përket sulmit, Roberto Mancini deklaron: “Vendin e sulmuesit do ta meritojë ai që do të jetë në formën më të mirë . Shpresoj, që si Immobile dhe Belotti të jenë gati dhe të shënojnë sa më shumë për kombëtaren”. /abcnews.al