Mançester Junajtid e nisi me fitore Premier Ligën

schedule15:18 - 11 Gusht, 2018

schedule 15:18 - 11 Gusht, 2018

Mançester Junajtid e nisi me fitore kampionatin anglez, por situata në klubin e madh nuk është aspak e qetë. Trajneri Zhoze Murinjo mbetet në konflikt me drejtuesit.

Është tepër i zoti në startin e sezoneve.

Zhoze Murinjo vazhdimisht fiton dhe kurrë nuk humb në ndeshjen e parë të edicionit, dhe kështu bëri edhe këtë herë, ndonëse nuk ishte aspak i qetë në përfundim.

Mançester Junajtid mundi 2-1 Leisterin në “Old Traford”, një mbrëmje shumë e mirë për tifozët, veçse atmosfera në klub mbetet e rëndë.

Murinjo është në konflikt të hapur me shefin ekzekutiv, Ed Uduord, të cilin e quan fajtor që nuk arriti të forconte skuadrën siç duhet këtë verë.

“Unë e gjej veten, në këtë fillim të Premier Ligës, në një situatë që nuk mendoj se duhej të ndodhte, – tha portugezi, pas takimit, – transferime nuk mund të bëhen më, ndërsa unë pres një sezon të vështirë, sepse unë pata planet e mia për shumë muaj, por asgjë nuk ndodhi. Mendoj se futbolli po ndryshon, dhe tani ne nuk mund të quhemi më menaxherë, si më parë, por thjesht trajnerë”.

Murinjo kërkonte me patjetër një mbrojtës qendre, si dhe ndonjë lojtar tjetër, por afrimet në klub ishin shumë të pakta.

Shqetësim tjetër ishte përplasja mes Pol Pogbasë dhe Aleksis Sançezit, për të gjuajtur 11-metërshin në rastin e golit të parë të Junajtidit.

Pogba mori topin dhe e gjuajti vetë penalltinë, pavarësisht nga protesta e shokut të ekipit, por Murinjo nuk deshi t’i hidhte më shumë benzinë zjarrit.

“Pogba ishte një monstër, e lavdërtoi trajneri, francezin, ishte fantastik. Unë mendoja se ai mund të luante vetëm 60 minuta, pasi kishte vetëm 4 ditë stërvitje, por ai luajti shumë mirë për 80 minuta. Përsa i përket penalltisë, mendoj se këto janë gjëra që ndodhin. Poli është zgjedhja e parë, ai i gjuan shumë mirë 11-metërshat. Natyrisht, një herë tjetër mund të jetë Aleksis apo dikush tjetër”.

Pogba besohet se dëshiron të largohet nga skuadra, dhe mendohet se Barcelona e synon, ndaj Murinjo e lavdëroi kampionin e ri të botës, si dhe i dha kënaqësinë e shiritit të kapitenit, në vend të Antonio Valencias që mungonte këtë herë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!