ZVËRNEC- Jo vetëm në verë, por edhe në dimër, Vlora mbetet një destinacion për turistët e huaj e vendas.
Fundjava dhe festat e fundvitit kanë sjellë një fluks të shtuar vizitorësh në qytetin e Vlorës, ndërsa Manastiri i Zvërnecit mbetet një ndër pikat që tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.
I pozicionuar në mes të lagunës së Nartës, ky monument kulti shihet si një nga destinacionet më tërheqëse për një vizitë ndryshe gjatë qëndrimit në Vlorë.
Vizitorët vijnë kryesisht nga qytete të ndryshme të vendit, por nuk mungojnë as turistët e huaj, veçanërisht nga Italia.
“Jam italiane. Vij këtu për herë të parë dhe më pëlqen shumë natyra”
“Jam Xhuzepe nga Milano. Vij këtu për herë të dytë, pasi kam gruan shqiptare dhe është shumë bukur. Natyra është e mrekullueshme. Ia këshilloj të gjithëve që të vijnë ta vizitojnë”
Shqiptarët janë të moshave të ndryshme, ndërsa shumë prej tyre e vizitojnë manastirin për herë të parë, duke e cilësuar Zvërnecin si një nga zonat më të bukura të Vlorës, falë ndërthurjes së natyrës me historinë.
Manastiri i Zvërnecit ka qenë një nga destinacionet më të vizituara edhe gjatë dy viteve të fundit, çka konfirmon rritjen e interesit turistik për këtë zonë. Vetë vizitorët shprehen se kanë gjetur një ambient për të cilin kishin dëgjuar shpesh, por që vetëm tani kanë pasur mundësinë ta vizitojnë nga afër.

