Manaj në formacionin e javës, “ylli” i Kombëtares asistoi golin e fitores ndaj Trabzonspor

schedule11:56 - 16 Prill, 2024

schedule 11:56 - 16 Prill, 2024

Nuk është hera e parë që ndodh. Rey Manaj është dalluar disa herë këtë sezon, në Turkie Superilg dhe këtë javë sërish ishte ndër të veçantët. Për paraqitjen e tij, dhe sidomos për kontributin në fitore me një asist të nivelit të lartë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare u zgjodh në formacionin e javës nga agjencia e specializuar e statistikave, “Sofascore”.

Manaj shërbeu një pasim të veçantë për gol, në një fitore sërish të veçantë, si ajo që skuadra e tij, Sivasspor arriti në transfertën e “gjigantëve” turq, të Trabzonspor, teksa në formacionin e javës, në krah të Manajt ishte edhe “ylli” boshnjak, Edin Dzeko, së bashku me “fantazistin” nga Kosova, Altin Zeqiri.

Lushnjari ia ka dalë edhe në të kaluar për të qenë në 11 më të mirët e javës. Në një sezon të nivelit mjaft të lartë në elitën turke, 27-vjeçari ka 20 gola në 30 ndeshje, nga të cilët 16 i ka vetëm në kampionat, teksa kujtojmë se edhe pse dueli për “Këpucën e Artë” realisht është mes dy ish-“Zikaltërve”, Edin Dzeko e Mauro Icardi, sërish Manaj nuk është larg, por vetëm 4 gola larg vendit të parë, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!