Mali i Zi dënon komplotistët e grushtit anti-NATO

schedule17:46 - 9 Maj, 2019

schedule 17:46 - 9 Maj, 2019

Një gjykatë në Malin e Zi ka dënuar të enjten politikanët pro-rusë dhe një grup prej 12 personash të tjerë për grushtin e shtetit të 3 viteve më parë, që i mbështetur nga Moska synonte bllokimin e anëtarësimit të vendit ballkanas në NATO.

Një gjykatë në Malin e Zi ka dënuar me nga 5 vjet burg dy politikanë pro-rusë të opozitës, të cilët u përpoqën të rrëzonin qeverinë në tetor të vitit 2016.

Gjykata gjithashtu shpalli fajtorë 12 persona të tjerë, përfshirë dy shtetas rusë, të dyshuar si agjentë sekretë dhe të gjykuar në mungesë. Prokurorët e çështjes deklaruan se komplotistët e grushtit të shtetit kishin mbështetjen e Kremlinit për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të bllokuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Nga ana e saj, Rusia e ka quajtur akuzën për grushtin e shtetit një absurditet. Edhe opozita malazeze ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat, duke e cilësuar operacionin kundër elementëve të saj një përpjekje për t’i mbyllur gojën kundërshtarit politik, me qëllim mbështetjen e Gjukanoviç, që akutalisht është president.

Liderët e opozitës të dënuar të enjten janë Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç, ligjvënës të Aleancës së Frontit Demokratik. Ndërsa të tjerët janë një shtetas malazez, 9 shtetas serbë dhe dy rusët e gjykuar në mungesë.

Këta të fundit, të identifikuar si Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, morën dënimet më të rënda, përkatësisht me 12 dhe 15 vjet burg. Ndërsa të tjerët dënime që variojnë nga 1 vit e gjysmë deri në 8 vjet burg./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!