Maldini: Nuk mund të presim 15 vite për rikthimin e Milanit! Berlusconi? Ka një defekt

schedule21:16 - 25 Tetor, 2019

schedule 21:16 - 25 Tetor, 2019

Paolo Maldini është një legjendë e gjallë e Milanit. Drejtori teknik analizon situatën e kuqezinjve në një prononcim për “Sky”, aty ku ndalet edhe te shkarkimi i Marco Giampaolos. Me kritikat është mësuar, ashtu si edhe me batuatat e thumbimet e Silvio Berlusconit. Me ish-presidentin ka një lidhje speciale, por kjo nuk e pengon t’i dhurojë një përgjigje me klas.

Në fund e ardhmja. Ai dhe Boban i kanë të qarta objektivat dhe mesazhi për drejtuesit është i qartë. Askush nuk ka kohë për të humbur dhe të gjithë duhet të bëjnë maksimumin për të rikthyer Milanin në nivele të larta.

ECURIA – “Nuk e prisnim ndërrimin e trajnerit, por ishte një vendim që duhej marrë. Të marrësh një vendim në mes të sezonit, gjithçka ka marrë fund. Nëse e merr në fillim, mund të jetë i nxituar, jam dakord, por ekziston mundësia që të japë efekt në vazhdim të sezonit. Ndoshta nuk u treguam të aftë me fjalë. U dënuam nga UEFA dhe u gjobitëm për gjëra që kishin ndodhur para nesh. E gjetëm klubin me një borxh prej 125 milionë eurosh. Rrugëtimi është i vështirë, por tifozët dhe ata që ndjekin Milanin kanë një ide më të plotë të situatës tonë”.

KRITIKAT – “Ekzistojnë gjithmonë, por tani jam mësuar. Jam i bindur për atë që po bëj dhe po jam maksimumin tim. Pastaj, si për të gjithë, e ardhmja ime dhe qëndrimi këtu lidhet me rezultatet e ekipit”.

BERLUSCONI – “Silvio ka qenë një president i madh, më i miri që mund të kesh në moshën 19-vjeçare. Është një person të cilin e dua shumë dhe i dëshiroj më të mirën. Ka një tendencë jo fort pozitive, dëshiron të duket gjithmonë i zgjuar. Gjithsesi, mbetet e pandryshueshme dashuria që ndjeja dhe ndjej për të”.

OBJEKTIVAT – “Historia ime është e rëndë. Fakti që ndodhem këtu dhe po bashkëpunoj me Boban, nuk do të thotë që do të presim 10-15 vite për ringritjen e Milanit. Nuk mund të pres 10 vite për t’u kthyer kompetitivë. Nëse klubi i mbetet idesë që duhen 10-12 vite për t’u kthyer në nivele të larta, unë dhe Boban nuk do të jemi në këto pozicione”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!