“Makthi” i Brukselit, çfarë do të thotë fitorja e Wilders për Holandën dhe BE

schedule11:50 - 23 Nëntor, 2023

schedule 11:50 - 23 Nëntor, 2023

Bëhet fjalë për një “tërmet politik” në Holandë, i cili mund të ndihet në të gjithë Europën, pas fitores së Geert Wilders në zgjedhjet e mbajtura të mërkurën. Partia e Lirisë e Wilders (PVV), pas 25 vitesh në parlament, është vetëm një hap larg fitores.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, PVV ka fituar 37 nga 150 vendet në parlament,  ​​më shumë se dyfishi i numrit që siguroi në zgjedhjet e 2021, sipas exit polls, raporton abcnews.al.

Aleanca e Frans Timmermans Laburist-Green parashikohet të zërë vendin e dytë, duke fituar 25 vende. Dylan Gesilgioz, pasardhësi i kryeministrit në largim Mark Rutte si kreu i qendrës së djathtë VVD, pësoi humbje të mëdha dhe ka fituar vetëm 24 vende, 10 më pak, sipas rezultateve të hershme.

Tashmë, mbështetësit e Wilders në Kontinentin e Vjetër, kanë nxituar ta urojnë atë. Kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë Alarm Kombëtar të Francës, Marine Le Pen, foli për një “performancë spektakolare” në zgjedhjet parlamentare.

“Urime Geert Wilders dhe PVV për performancën e tyre spektakolare në zgjedhjet parlamentare, e cila konfirmon angazhimin në rritje për mbrojtjen e identiteteve kombëtare.

Shpresa për ndryshim mbetet e gjallë në Europë”, tha Le Pen.

“Erërat e ndryshimit janë këtu,” tha Viktor Orbán në një postim në X duke shtuar: “Urime Ëilders për fitoren në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

“Makthi” i Brukselit

Një tjetër gjë është klima në Bruksel, për të cilën Wilders është një “makth” i vërtetë. Shtatë vjet pasi britanikët votuan për Brexit-in, Nexit ishte një pikë kyçe e fushatës së suksesshme të liderit të ekstremit të djathtë në Holandë.

Dhe ndërsa Wilders e ka zbutur retorikën e tij anti-islame në javët e fundit, nuk ka asnjë shenjë se ai dëshiron të zbusë euro skepticizmin e tij pas fitores së tij të thellë në zgjedhje.

Edhe nëse votuesit holandezë nuk binden të ndjekin britanikët dhe të dalin nga BE, ka shenja se një qeveri e udhëhequr nga Wilders në Hagë do të jetë një makth për Brukselin.

Vendi i Wilders në tryezën e samitit të BE-së mund të ndryshojë në mënyrë dramatike dinamikën pasi liderë të tjerë të ekstremit të djathtë dhe nacionalistë kanë marrë tashmë detyrën, thuhet në një analizë të Politico.

Papritur, politikat nga veprimi i klimës dhe reforma e BE-së, deri tek furnizimi me armë për Ukrainën, do të ketë debate madje edhe përmbysje.

A do të qeverisë ai?

Megjithatë, për të qeverisur, Wilders do të duhet të bindë partitë e tjera që t’i bashkohen një qeverie koalicioni që synon 76 vende në parlamentin prej 150 vendesh.

Shumica e kundërshtarëve të tij elektoral kanë mbajtur distancë, duke hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit, raporton abcnews.al.

“PVV nuk mund të injorohet më,” tha Wilders, megjithatë, duke shtuar “ne do të qeverisim”.

Veç kësaj, të mërkurën mbrëma, me shpalljen e rezultateve, ai u bë më i qartë për “lëshimet” që synon të bëjë për të qenë në pushtet:

“Unë e kuptoj shumë mirë që partitë nuk duan të jenë në qeveri me një parti që kërkon të zbatojë masa antikushtetuese”, tha ai. “Ne nuk do të flasim për xhamitë dhe shkollat ​​islame.”

Nëse partitë e qendrës bashkohen për të lënë Wilders jashtë qeverisë, ato mund të paguajnë çmimin më vonë pasi  do të përballen me një reagim të ashpër nga votuesit holandezë të zemëruar.

Emigracioni

Emigracioni ishte një çështje dominuese në zgjedhjet holandeze, e cila mbetet një çështje jashtëzakonisht delicate për politikanët, jo vetëm në këtë vend, por në mbarë BE-në.

Ndërsa numri i emigrantëve vazhdon të rritet, po ashtu rritet edhe mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë në shumë vende.

Në Itali vitin e kaluar, Giorgia Meloni u ngrit në pushtet me Vëllezërit e Italisë. Në Francë, Alarm Kombëtar i Marine Le Pen mbetet një forcë e fortë, në vendin e dytë në sondazhe.

Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë është kërcyer gjithashtu në vendin e dytë muajt e fundit. Në fjalimin e tij të fitores, Wilders premtoi të trajtojë atë që ai e quajti një “cunam azili ” që goditi Holandën.

“Arsyet kryesore pse votuesit mbështetën Wilders në këto zgjedhje janë axhenda e tij kundër emigracionit, e ndjekur nga qëndrimet e tij mbi krizën e kostos së jetesës dhe qëndrimi i tij për kujdesin shëndetësor”, tha Sara de Lange, pedagoge e politikës në Universitetin e Amsterdamit, duke folur për Politico.

Partitë kryesore “legjitimuan Wilders” duke e bërë emigracionin një çështje kyçe, shtoi ajo.

“Votuesit mund të kenë menduar se nëse kjo është çështja, pse të mos votojnë origjinalin dhe jo kopjen?”, theksoi ajo.

Vitin e kaluar flukset e emigrantëve në Holandë u dyfishuan në mbi 220,000, pjesërisht për shkak të refugjatëve që erdhën në vend pas pushtimit rus të Ukrainës. Çështja është përkeqësuar nga mungesa e rreth 390,000 shtëpive.

Gjatë fushatës zgjedhore, Wilders përfitoi nga pakënaqësia e madhe me qeverinë e mëparshme, e cila u rrëzua mes mosmarrëveshjeve mbi rregullat e azilit, raporton abcnews.al.

“Ishte një nga dhuratat e shumta që iu ofruan Wilders në pak muaj,” tha për BBC eksperti Martin Rozema i Universitetit të Twente. Një tjetër gjë ishte se udhëheqësi liberal i qendrës së djathtë, Dylan Gesilgioz, hapi derën për të bashkëpunuar me të në një koalicion.

“Ne e dimë nga precedenti ndërkombëtar se partitë e krahut të djathtë radikal veprojnë më keq kur përjashtohen,” shpjegoi ai.

Kush është Wilders?

Wilders, 60 vjeç, ka qenë një personazh në politikën holandeze për dekada. Ai e filloi karrierën e tij si anëtar i ekipit liberal të ish-kryeministrit Mark Rutte, por u largua për të shërbyer si deputet i pavarur përpara se të themelonte Partinë e Lirisë kundër imigracionit.

Ai ka marrë kërcënime për jetën e tij për shkak të pikëpamjeve të tij anti-islamike dhe ka qenë nën mbrojtje të rreptë që nga viti 2004. Në vitin 2020, një gjykatë e shpalli atë fajtor për akuza fyese pas komenteve që ai bëri për emigrantët marokenë, por gjyqtarët nuk e dënuan.

Ai konsiderohet si përfaqësuesi holandez i populizmit të përfaqësuar nga Donald Trump në SHBA, si dhe presidenti i sapozgjedhur i Argjentinës, Javier Milei.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!